LSDM: Gjashtë javë pa raport për ujin në Gostivar, qytetarët presin përgjigje
Kanë kaluar gjashtë javë dhe ende nuk është publikuar asnjë dokument, raport apo analizë e plotë lidhur me cilësinë e ujit në Gostivar, akuzojnë nga LSDM. Sipas kësaj partie, deklaratat e deritanishme nga autoritetet kanë krijuar pasiguri dhe mosbesim te qytetarët.
“Kush po përhap panik? Mickoski dhe Klekovski po përhapin panik, duke mos e publikuar dokumentin për gjashtë javë dhe duke bërë deklarata kontradiktore”, thonë nga LSDM.
Nga partia opozitare pretendojnë se fillimisht është folur për ndalimin e përdorimit të ujit, më pas se ai mund të përdorej si ujë teknik, ndërsa më vonë u deklarua se në ujë janë konstatuar baktere dhe viruse të reja. Sipas LSDM-së, më pas qytetarëve u është thënë se uji është i pijshëm, ndërsa raporti është paralajmëruar se do të publikohej më 20 gusht.
“Por asnjëherë nuk u publikua një dokument i plotë”, theksojnë nga LSDM.
Sipas tyre, mungesa e një raporti të plotë po krijon pasiguri te qytetarët dhe ngre pikëpyetje se çfarë informacioni po mbahet i fshehtë.
“Pas 22 ditësh me ujë të ndotur dhe rreth 5 mijë të sëmurë, pse qytetarët nuk mund të marrin një dokument të plotë? Pse nuk publikohet raporti i plotë? Informacioni në lidhje me sigurinë e ujit duhet të bëhet publik përmes një raporti të plotë, me të gjitha rezultatet dhe nënshkrimet e personave përgjegjës”, deklarojnë nga LSDM.
Partia kërkon që rezultatet dhe dokumentacioni zyrtar lidhur me sigurinë e ujit të bëhen publike, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në informacione të plota dhe të verifikueshme.
