LSDM kërkon kontroll të ujit në të gjithë vendin, VMRO e akuzon për panik
Në vend që debati të përqendrohet te zgjidhja e problemit me ujin e pijshëm, ai është zhvendosur në përplasjen politike. Pas rasteve të ndotjes së ujit në disa qytete të vendit, partia opozitare LSDM kërkon kontrolle të jashtëzakonshme në të gjithë Maqedoninë e Veriut, ndërsa VMRO-DPMNE e akuzon opozitën se po përhap panik dhe po përpiqet të përfitojë politikisht nga situata. LSDM kërkoi që qytetin e Velesit, të kontrollohen të gjitha rrjetet e ujësjellësit, pasi gjetjet dhe opinionet e fundit profesionale, të publikuara zyrtarisht, tregojnë se pothuajse në të gjitha ujësjellësit ruralë është konstatuar bakterie , një tregues i ndotjes fekale, madje edhe në disa shkolla.
Anëtarja e Kryesisë Ekzekutive të LSDM-së, Simona Cvetanovski, akuzoi Qeverinë se ka dështuar të garantojë sigurinë e ujit të pijshëm, duke theksuar se, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski përuron pishinën në Kavadar, qytetarët në disa komuna përballen me ujë të kontaminuar.
SIMONA CVETANOVSKI, ANTARE E KRYESISË EKZEKUTIVE TË LSDM-SË
“Gostivari. Vallandova. Spitali në Leshkë. Tani edhe Krusheva. Për vetëm pak ditë kemi katër qytete me ujë të pijshëm të ndotur. Kjo është dëshmia më dramatike e shpërbërjes së plotë sistemore të shëndetësisë dhe institucioneve nën pushtetin e Mickoskit dhe grupit të tij të organizuar kriminal”.
Ndërkaq, nga ana tjetër, nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, theksojnë LSDM dhe kryetari I saj Venko Filipçe po keqpërdorin krizën me ujin në Gostivar për të përhapur panik. Në vend që ofrojnë ndonjë zgjidhje për qytetarët, nga VMRO akuzojnë partinë opozitare se po krijojnë ankth te qytetarët.
VMRO-DPMNE
“LSD dhe Filipçe, në vend që të kontribuojnë me zgjidhje dhe të tregojnë ndjenjë përgjegjësie, zgjedhin përsëri të përhapin panik dhe të keqpërdorin çdo temë aktuale për marketing politik. Qytetarët meritojnë informacion të saktë, transparencë dhe institucione që punojnë në interesin e tyre, jo spektakle politike të ndërtuara mbi spekulime dhe sensacionalizëm”.
Të gjithë aktorët politikë, sipas partisë në pushtet, duhet të tregojnë përgjegjësi, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
Samir Mustafa /SHENJA/
