LSDM: Mirëpresim deklaratat e Magyarit, koha për drejtësi ndaj Gruevskit
Nga partia opozitare maqedonase LSDM deklarojnë se e mirëpresin mesazhin e fituesit të zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, të dhënë në konferencën e sotme për shtyp.
Sipas LSDM-së, qeveria e re hungareze nuk do të ofrojë më strehim për persona që i shmangen drejtësisë. Ata theksojnë se Magyar ka deklaruar qartë se Hungaria do të ekstradojë individët që fshihen në territorin e saj, duke e përmendur drejtpërdrejt Nikola Gruevskin si kriminel.
Gruevski, i cili u arratis nga drejtësia në vitin 2018, për vite me radhë ka qëndruar në Hungari nën mbrojtjen e ish-kryeministrit Viktor Orbán. Sipas LSDM-së, kjo shënon fundin e një periudhe kur Budapesti shërbente si strehë e sigurt për zyrtarë të dënuar për korrupsion.
“Drejtësia nuk njeh afat skadimi dhe vendimet gjyqësore duhet të zbatohen. VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski e kanë mbrojtur për vite me radhë Gruevskin. Tani është koha që drejtësia të vihet në vend dhe ai të vuajë dënimin në Maqedoni. Qytetarët e kanë pritur këtë moment për një kohë të gjatë”, thuhet në reagimin e LSDM-së.