LSDM: Pas ngjarjes tragjike në Shkup kërkojmë dorëheqjen e Toshkovskit
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar për tragjedinë në Taftalixhe të Shkup, ku humbën jetën një nënë dhe fëmija i saj.
Sipas LSDM-së, dhuna në familje ishte raportuar për dy vite me radhë. Kishte deri në 12 denoncime ndaj bashkëshortit, i cili kishte edhe probleme të tjera me ligjin, ndërsa në rastin e fundit tek ai ishte gjetur drogë. Partia thotë se institucionet kanë qenë të njoftuara, por nuk kanë reaguar siç duhet për të mbrojtur viktimat.
Nga LSDM akuzojnë ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, si dhe institucionet përgjegjëse, për dështim të sistemit. Ata thonë se mungesa e reagimit në kohë ka çuar në këtë tragjedi.
Në reagim përmendet edhe një rast i mëhershëm në Veles, ku një grua që kishte raportuar ngacmim u vra së bashku me babanë e saj. Sipas LSDM-së, vetëm në vitin 2026 katër persona kanë humbur jetën nga dhuna në familje.
LSDM kërkon dorëheqjen e ministrit dhe hetim të plotë për të gjithë përgjegjësit.