
‘Lufta’ brenda partisë, a po tronditet bastioni i PDK-së?
AA
Partia Demokratike e Kosovës i ka zyrtarizuar kandidaturat për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
E në sy bie vendimi që kryetari i deritashëm i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk u kandidua edhe njëherë për kryetar të kësaj komune, pasi kryesia e PDK-së vendosi që Petrit Hajdari të jetë kandidat i PDK-së.
Krejt ky vendim erdhi pas një sërë përplasjesh që Lladrovci kishte së fundi me Sami Lushtakun, i cili tani do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Skenderajt.
Pavarësisht që nuk u kandidua nga PDK, në reagimin e tij Ramiz Lladrovci ka konfirmuar se do të garojë për kryetar të Drenasit.
“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di. Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre. Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!”, shkroi Lladrovci në reagimin e tij.
E lidhur me këto përplasje që po ndodhin brenda PDK-së, për “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.
“Në fakt, garda e vjetër e PDK-së, përveç mjerimit në përfaqësim, rrënjosjes së primitivizmit në komunikim dhe mbjelljes së zënkave e shfaqjen e sjelljeve arrogante publike, e ka lënë Drenicën shumë prapa edhe ekonomikisht, si dhe ka penguar transformimin urban e kulturor në këtë rajon, dikur të mirënjohur për aktivitet patriotik dhe sakrificë kombëtare, që edhe ashtu është mjaft i vogël dhe me shtrirje të kufizuar gjeografike në vetëm dy komuna si Skënderaj e Drenas, por aty edhe sot zhvillohet luftë e ashpër klanore, për sundim arbitrar dhe dominim të egër politik”, shprehet Qarri, sipas të cilit Drenica vazhdon të sundohet nga Sami Lushtaku.
“Andaj është vërtetë mjeruese dhe fatkeqësi e papërshkrueshme që një rajon i tërë si Drenica, edhe 26 vjet pas çlirimit të Kosovës, të sundohet nga njerëz vagabondë e gjysmëanalfabetë si Sami Lushtaku & Co, shembujt më fatkeq të sjelljes së dhunshme dhe antidemokratike të cilët kishim rastin t’i shihnim edhe në Parlamentin shtetëror të Republikës së Kosovës – nga sulmi fizik i M. Lushtakut ndaj deputetëve të VV-së, duke krijuar rrëmujë të paparë edhe në sallën e Kuvendit, si dhe veprimi agresiv i Ganimete Musliut, që megjithëse femër, nuk tregoi asnjë fije respekti për moshën e shtyrë, detyrën si kryesues i përkohshëm i Kuvendit dhe përjetimet personale të z. Avni Dehari, duke tentuar t’ia rrëmbente atij me forcë edhe mikrofonin nga tavolina – akte që vetëm gjysmëanalfabetët e quar peshë nga pasuria haram, e grumbulluar kundërligjshëm, dinë ta bëjnë në instancat më të larta të shtetit tonë edhe sot!”, deklaron Qarri.
Sipas Qarrisë, arsyeja e eliminimit të Ramiz Lladrovcit është pikërisht Sami Lushtaku.
“E sikur mos të mjaftonin zënkat e njohura të brendshme të së kaluarës, pikërisht në kohën kur po afrohen zgjedhjet e rregullta lokale, dolën sërish në shesh edhe mospajtimet e thella aktuale, duke ashpërsuar edhe më keq përplasjet e kahershme që ekzistojnë brenda PDK-së, duke shpërthyer me një shkëmbim edhe më të egër të akuzave dhe kundërakuzave të vjetra e të reja, ndërmjet Sami Lushtakut dhe kryetarit aktual të Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, i cili – siç është shprehur – synonte përsëri të zgjidhej kryetar i kësaj komune, por që nënkryetari i Skënderajt, dhe kryetari faktik i PDK-së për territorin e Drenicës, Sami Lushtaku, duke qenë në konflikt të hapur, tash e shumë kohë më parë, për interesa të dyshimta korruptive dhe personale me z. Lladrovci, përveçse e kundërshton zgjedhjen e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Drenasit, ai arriti ta heqë fare z. Lladrovci edhe nga lista e kandidatëve për kryetar të kësaj komune”, shpjegon Qarri.
“Kështu që beteja e cila aktualisht sërish u rishfaq lidhur me kandidatin e propozuar për kryetar të Drenasit, është edhe pjesë e luftës që në vijimësi zhvillohet për pushtet brenda për brenda vetë PDK-së në Drenicë, gjë që shpjegon më së miri se çfarë fatkeqësie është, kur edhe mbi një çerek shekulli pas lufte, Drenica vazhdon edhe më tej të përfaqësohet nga njerëz të tillë primitivë në rrafshin lokal dhe identifikohet me tipa arrogantë, gjysmëanalfabetë e fare pa kulturë si M. Lushtaku, Ganimete Musliu, etj., edhe në Parlamentin e shtetit të Kosovës! Fërkimet me Sami Lushtakun dhe frika se Ramiz Lladrovci do t’i fitojë edhe kësaj radhe zgjedhjet komunale në Drenas, duke qenë se përkundër kundërshtimeve të shfaqura nga grupi i lartcekur, para katër vitesh fitorja në komunën e Drenasit i takoi z. Ramiz Lladrovci, kanë bërë që me iniciativën e kryetarit faktik të PDK-së për Drenicë, Sami Lushtaku – i cili ka edhe probleme personale me Ramiz Lladrovcin – atij të mos i jepet më as mundësia e kandidimit, duke e eliminuar që në bazën e partisë edhe nga propozimi formal për kryetar të kësaj komune”, shton Gani Qarri.
Më tej, Qarri thotë se është e mjerueshme gjendja e përfaqësimit të PDK-së në Drenicë, rajon ky që njihet si bastion i PDK-së.
“Gjendja aktuale nuk është risi, madje është fakt i ditur se Drenica në vijimësi njihet për tensione politike ndërmjet klaneve të vjetra, të cilat shfaqen veçanërisht para zgjedhjeve lokale, dhe si produkt i po këtyre fërkimeve të tejzgjatura, sot kemi edhe gjendjen aktuale që në skenë solli një kandidat krejt tjetër, të propozuar për zgjedhjet e ardhshme lokale në Drenas, të parapara të mbahen në tetor të vitit 2025. Por duke qenë se, siç u dëshmua edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, Drenica mbetet hambari kryesor i votave për PDK-në, udhëheqja qendrore e kësaj partie e ka obligim që përfundimisht ta ndryshojë gjendjen mjeruese të përfaqësimit edhe në këtë rajon, duke larguar përfundimisht njerëzit e korruptuar e problematikë dhe zëvendësuar figurat e konsumuara politikisht e moralisht me kuadër të ngritur e intelektual, të kualifikuar edhe profesionalisht, siç veprohet në të gjitha rajonet e Kosovës”.
Për fund, Qarri thekson se krejt këto përplasje mund të sjellin një tronditje për PDK-në në Drenicë e më gjerë.
“Përndryshe, e gjithë kjo ‘zallamahi’ ka një shpjegim fare të qartë dhe shumë lehtë të sqarueshëm: se përplasjet më të reja janë vazhdimësi e zënkave të vjetra, që si rëndom, shfaqen pak para zgjedhjeve lokale në mes të aktorëve kryesorë të PDK-së për Drenicë, të cilat përveç plasaritjeve të njohura anësore – me përjashtimin e kandidaturës së Ramiz Lladrovcit dhe propozimin e P. Hajdarit si kandidat – si dhe shfaqjen e grupimeve të reja politike në këtë rajon, si iniciativa ‘Bashkimi Demokratik’, që kësaj radhe në zgjedhjet komunale mund ta rrezikojë seriozisht fitoren e PDK-së në Drenas, dëshmojnë katërçipërisht se PDK jo vetëm që mund të pësojë tronditje të rëndë në zgjedhjet lokale, por ka filluar të dridhet seriozisht edhe trungu qendror i saj, apo zemra e PDK-së, siç kanë dëshirë ta quajnë këtë parti në rajonin e Drenicës, e cila (vetëm ajo), vazhdon edhe sot të sundohet nga gjysmëanalfabetë të thekur e të pashkollë dhe njerëz mjaft arrogantë, në përfaqësimin lokal dhe atë qendror – gjendje e cila edhe në Drenicë përfundimisht duhet ndryshuar, ngase bota sot jeton në shekullin e dominimit të inteligjencës artificiale”, përfundon analisti Gani Qarri.