Lufta për mbijetesë: Qytetarët shesin arin për të larë borxhet
AA
Në një kohë kur kriza ekonomike po ndjehet në çdo sferë të jetës, ari dhe argjendi, që dikur ishin simbole të pasurisë dhe trashëgimisë familjare, sot po kthehen në “valutë shpëtimi” për shumë qytetarë të vendit. Gjithnjë e më shpesh, stolitë që dikur ruheshin me kujdes për brezat e ardhshëm po përfundojnë në duart e argjendarëve, ndërsa interesi për blerje të reja është zbehur dukshëm. Kjo valë e re është pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së çmimeve dhe e uljes së fuqisë blerëse, që e ka bërë shitjen e arit një mënyrë të menjëhershme për të përballuar shpenzimet e përditshme, shkruan gazeta KOHA.
Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS) tregojnë se vetëm në shtator të këtij viti çmimet e ushqimeve dhe të produkteve bazë janë rritur për 3.2 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Me këtë ritëm, shumë familje janë detyruar të gjejnë burime të reja për të mbuluar kostot e jetesës dhe ari, që dikur përfaqësonte kursim afatgjatë, tani po shitet për të mbuluar nevojat afatshkurtra.
Në tregun e argjendarisë, kjo krizë reflektohet çdo ditë. Argjendaritë e vendit raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të qytetarëve që sjellin stolitë e tyre për shitje. “Këtë vit kemi më shumë njerëz që vijnë për të shitur se sa për të blerë. Shumë prej tyre thonë se kanë mbajtur arin me vite, por tani janë të detyruar ta kthejnë në para. Disa sjellin unazat e dasmës, të tjerë varëse që kanë trashëguar nga gjyshërit. Nuk bëhet fjalë për luks, por për mbijetesë”, thonë nga argjendaria Anika.
Çmimet e arit në tregun ndërkombëtar kanë shënuar rekorde të reja, duke e bërë momentin më të favorshëm për shitje, por jo domosdoshmërisht për fitim. Aktualisht, një gram ar 14 karatësh kushton mesatarisht 2.400 deri 2.600 denarë, ndërsa për 22 karatësh çmimi kalon 3.200 denarë. Megjithatë, fitimi i qytetarëve që shesin është dukshëm më i ulët, pasi argjendaritë blejnë zakonisht me 15 deri 20 për qind më pak se çmimi i tregut.
Nga ana tjetër, kërkesa për stoli të reja ka rënë ndjeshëm. Bizhuteritë luksoze po qëndrojnë në vitrina pa blerës, ndërsa interesimi për produktet prej argjendi ose për stoli më të thjeshta është në rritje. Mbi 60 për qind e kërkesës në treg i përket produkteve prej argjendi, një prirje që para pak vitesh do të ishte e paimagjinueshme në një vend ku ari mbizotëronte çdo ceremoni apo rast festimi.
Gjatë pesë viteve të fundit, rezervat e arit kanë shënuar një rritje të qëndrueshme. Në vitin 2020, rezervat e arit ishin 6.89 ton, duke arritur kulmin në vitin 2019 me 6.90 ton. Nga viti 2020 deri në shkurt 2025, sasia e arit ka mbetur e qëndrueshme në 6.89 ton. Në vlerë monetare, rezervat e arit kanë kaluar nga 618.644 milionë dollarë në janar 2025 në 634.135 milionë dollarë në shkurt 2025, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, kjo rritje e rezervave nuk ka ndikuar në përmirësimin e fuqisë blerëse të qytetarëve, të cilët vazhdojnë të përballen me sfida ekonomike.
Një shqetësim tjetër lidhet me cilësinë e bizhuterive të blera onlajn. Sipas një analize nga Këshilli Danez i Konsumatorëve, një në tre bizhuteri nga platformat onlajn është e paligjshme dhe përmban metale të rënda si kadmiumi dhe nikeli, të cilat janë toksikë. “Konkretisht, tre bizhuteri, përkatësisht nga Vish dhe eBay, përmbanin nivele kadmiumi mbi 95 për qind, që korrespondon me 9.500 herë më shumë se limiti i lejuar. Kadmiumi është një metal i rëndë shumë toksik, i cili grumbullohet në trup dhe mund të shkaktojë dëmtime të veshkave, ndër të tjera. Tre bizhuteritë me përmbajtje të lartë kadmiumi ishin shënuar si ‘argjend 925’, që normalisht do të thotë se ato përmbajnë të paktën 92.5 për qind argjend të pastër. Megjithatë, analizat laboratorike treguan se ato ishin bërë pothuajse tërësisht nga kadmiumi dhe jo nga argjendi i vërtetë”, tregon Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë.
Ndryshe, në një vend ku ari për dekada është konsideruar simbol i sigurisë dhe trashëgimisë familjare, fakti që ai sot po shitet për të paguar borxhe dhe për të përballuar jetesën tregon më shumë se çdo statistikë. Ai është pasqyra më e qartë e krizës që po e gërryen shtresën e mesme dhe të ulët të shoqërisë, e cila dikur ruante stolitë si kujtim, e sot i shet si nevojë. Nëse dikur ari ishte një garanci për të ardhmen, sot është dëshmi e një të tashme të pasigurt, ku çdo gram që peshohet në argjendari bart me vete historinë e një familjeje që po përpiqet të mos fundoset nga kriza. (koha.mk)