Makina hyn gabimisht në rrugë, çiklistët hidhen nga frika
Një tragjedi u shmang për pak në Francë gjatë etapës së dytë të turneut të çiklizmit Etoile de Bessèges, një garë që hap kalendarin ndërkombëtar të sportit të biçikletës në Europë.
Shtatëmbëdhjetë kilometra larg vijës së finishit, një makinë hyri në kursin e garës dhe rrezikoi të përplasej me grupin e madh të çiklistëve, i cili po ndiqte të shkëputurit, që kryesonin garën.
U desh ndërhyrja e një përfaqësuesi të xhandamërisë, i cili detyroi mjetin të kthehej mbrapsht dhe të futej në një ndalim anësor. Gjithsesi, kaosi preku pedaluesit, pasi disa prej tyre, të befasuar nga incidenti, përfunduan në tokë pa pasoja, duke hedhur biçikletat nga frika e përplasjes.