
Man. Siti në merkato, Virc dhe De Ketelare, kandidatë për De Bryjnen
Mançester Siti e ka identifikuar gjermanin Florian Virc, si një objektiv në planet e ardhshme të skuadrës. Mesfushori me tipare sulmuese, i cili ka shënuar 27 gola+asiste për Bajer Leverkusenin deri më tani këtë sezon dhe kërkohet nga Bajerni i Mynihut, ka qenë prej kohësh në radarin e Sitit. Por interesi është rritur pasi kampionët e Premier Ligës vazhdojnë të ulin moshën mesatare të skuadrës së Pep Guardiolës. 21-vjeçari vlerësohet nga “Aspirinat” jo më poshtë se 85 milionë paund, ndërsa ka aktualisht edhe dy vite kontratë.
“Qytetarët” e shohin atë si pasardhësin ideal të Kevin De Bryjnes që është 33 vjeç. Por në Itali raportojnë se De Bryjne mund të zëvendësohet nga një tjetër lojtar belg, Çarls de Ketelare i Atalantës. 23-vjeçari është duke shkëlqyer për bergamaskët që kur u largua nga Milani, duke bërë të flitet shumë për të pas 22 golave+asisteve në 37 ndeshjet e këtij sezoni për “Dea”-n.