
Maqedonia e Veriut më e mirë për pensionim se Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Finlanda?
Revista udhëheqëse amerikane e biznesit “CEOWorld” e ka renditur Maqedoninë e Veriut më lart se tre vende skandinave dhe gjithsej shtatë anëtare të Bashkimit Evropian, sa i përket vendeve më të mira për t’u pensionuar!.
Në listën e 80 vendeve të përfshira në një hulumtim ndërkombëtar të kryer në janar dhe mars të këtij viti me pjesëmarrjen e 126.000 personave, Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 56-të me 46.22 pikë nga gjithsej 100 të mundshme.
Pas saj janë Danimarka (vendi i 57-të), Holanda (58), Letonia (62), Hungaria (66), Norvegjia (67), Rumania (68), Finlanda (72), Sllovakia (73) etj.
Në krye të renditjes është Zelanda e Re me 71.78 pikë, në vend të dytë është Luksemburgu, në të tretin Zvicra, ndërsa në top-10 janë edhe Kanadaja, Australia, Spanja, Portugalia, Malta, Franca dhe Tajlanda në atë renditje.
Nga vendet e rajonit, Sllovenia është në vendin e 11-të, Greqia e 20-ta, Bullgaria e 36-ta, Mali i Zi i 41-ti, ndërsa Kroacia në vendin e 55-të.
Studiuesit e CEOWorld kanë mbledhur, analizuar dhe krahasuar 80 vende sipas 11 kategorive kyçe për të përcaktuar renditjen. Këto kategori përfshijnë: komunitetin e emigrantëve, mundësinë e të kuptuarit në gjuhën angleze, kujdesin shëndetësor, koston e jetesës, qasjen, përballueshmërinë e taksave, klimën e këndshme, lehtësinë e blerjes dhe zotërimit të pronës, kërkesat për vizë dhe qëndrim, stabilitetin e qeverisë dhe lehtësinë e asimilimit.