Maqedonia e Veriut u bën thirrje shtetasve të saj të përmbahen nga udhëtimet e panevojshme në Lindjen e Mesme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje të gjithë shtetasve të vendit që të shmangin udhëtimet e panevojshme në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.
Në një njoftim, Ministria deklaroi se po ndjek me shqetësim zhvillimet në rajon, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.
“Duke pasur parasysh përpjekjet e dukshme të Iranit për të shënjestruar, përveç Izraelit, edhe disa shtete arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Arabia Saudite, Libani dhe Iraku, si dhe bazën ushtarake britanike në Qipro, Ministria i bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të shmangin udhëtimet e panevojshme në këtë rajon”, thuhet në njoftim.
Ministria gjithashtu dënoi sulmet ndaj miqve dhe partnerëve të vendit, duke theksuar se shkelja e sovranitetit dhe shënjestrimi i objektivave civile janë të papranueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. “Paqja, siguria dhe stabiliteti i Lindjes së Mesme janë parakushte thelbësore për stabilitetin global”, theksoi Ministria.
Sipas njoftimit, prioritet i Qeverisë mbetet siguria dhe mbështetja e shtetasve maqedonas që ndodhen në rajon. Përfaqësitë diplomatiko-konsullore janë në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe po shqyrtojnë disa skenarë për riatdhesim dhe evakuim, të cilët do të aktivizohen kur kushtet në terren ta lejojnë.