
Markovski Kompani: Lidhjet e fshehta Manastir – Bjellorusi përmes Serbisë
“Nuk është këtu”. Këtë përgjigje mori ekipi i Radios Evropa e Lirë më 5 dhjetor, kur në adresën e kompanisë “Markovski Company” në Manastir kërkoi të takonte pronarin Borçe Markovski. Selia e kompanisë ndodhet në një apartament në qendër të Manastirit, ku na pritën dy të punësuar. Pavarësisht këmbënguljes për ta takuar, na u tha vetëm të linim numrin e telefonit. Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk morëm përgjigje nga Markovski, shkruan Flaka Media, duke cituar Radio Evropa e Lirë, versioni në gjuhën maqedone.
“Markovski Company” në pesë vitet e fundit ka fituar nga shteti tenderët më të shtrenjtë në raport me çmimin e shërbimeve, shpesh përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta. Kompania ka marrë punë në mënyrë të rregullt nga “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM) dhe filiala “Kombinati Mineraro–Energjetik – Manastir” (REK Manastir), dhe vetëm në pesë vite ka nënshkruar 66 kontrata në vlerë prej 141 milionë eurosh. Firmat nënkontraktuese e lidhin atë me familjen e ish–kryeministrit Zoran Zaev.
Për tenderët e “dyshimtë” kanë filluar hetime Prokuroria Publike dhe Policia Financiare.
Borçe Markovski që nga viti 2016 është edhe konsull nderi i Bjellorusisë, për shkak të “marrëdhënieve të mira ekonomike me këtë vend”. Kompania e tij në Bjellorusi është prezantuar si bashkëpunëtore e ndërmarrjeve shtetërore të lidhura me presidentin Aleksandar Lukashenko, të cilat janë nën sanksione të SHBA-së dhe për një periudhë të caktuar edhe të BE-së.
Markovski ka kompani edhe në Serbi, ku merr rregullisht tenderë nga ndërmarrja “Srbija Šume”.
Figura e Markovskit nuk shihet në media dhe ai është i paarritshëm për gazetarët.
Rruga e Borçe Markovskit deri te konsulli nderi i Bjellorusisë
Më 22 prill 2015, agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve raportoi për vizitën në Beograd të përfaqësuesve të lartë të konglomeratit shtetëror petrokimik bjellorus “Belneftekhim”. Bisedimet u zhvilluan nën patronazhin e Ambasadës së Bjellorusisë në Serbi dhe u udhëhoqën nga nënkryetari i atëhershëm Vitalij Pavlov.
Në komunikatë thuhej se përfaqësues ekskluziv për produktet e fabrikës së gomave “Belshina” për Serbinë do të ishte “Markovski Company” nga Maqedonia e Veriut.
“Kompania do të vazhdojë furnizimin me goma bjelloruse për pajisje bujqësore në Serbi,” shkruhej në lajmin e agjencisë.
Rreth një vit më vonë, Borçe Markovski u bë konsull nderi i Bjellorusisë në Maqedoninë e Veriut. Në fjalimin e ceremonisë, ambasadori i Bjellorusisë në Serbi, Vladimir Çushev, theksoi interesin për zhvillimin e marrëdhënieve të dobishme me Maqedoninë e Veriut, me prioritet në zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik dhe zhvillimin e lidhjeve ndër–rajonale.
Më 9 nëntor të po atij viti, Markovski u takua me ministrin e jashtëm të Bjellorusisë, Vladimir Makej. Ai vizitoi edhe rafinerinë më të madhe shtetërore “Naftan” në Novopolock. Nga vetë “Naftan” u bë e ditur se në adresën e “Markovski Company” ishte dërguar një seri prej 20 tonësh vajra të paketuar.
“Gjatë vizitës në OAO Naftan, konsulli nderi i Maqedonisë së Veriut, Borçe Markovski, konfirmoi cilësinë e lartë të vajrave Naftan. Maqedonia e Veriut është partneri ynë, pasi kompania e tij ka kontratë për furnizim me vajra të paketuar në këtë pjesë të Ballkanit”, thuhej në komunikatën e kompanisë.
Kompanitë bashkëpunëtore të Markovskit – të afërta me Lukashenkon
Fabrika e gomave “Belshina” dhe rafineria “Naftan” janë dy ndërmarrjet që dihet publikisht se kanë bashkëpunuar me “Markovski Company” nga Manastiri, sipas mediave bjelloruse dhe komunikatave të vetë kompanive.
Për detajet e bashkëpunimit, Radio Evropa e Lirë i dërgoi pyetje me e-mail Borçe Markovskit, por nuk mori përgjigje.
“Belshina” është prodhuesi më i madh i gomave në Bjellorusi, ndërsa “Naftan” prodhon naftë dhe derivate të saj. Nuk ka të dhëna publike se si Markovski u bë bashkëpunëtor i tyre.
Edhe pyetjet drejtuar këtyre dy kompanive mbetën pa përgjigje.
Të dyja janë pjesë e konglomeratit “Belneftekhim”, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Ministrave të Bjellorusisë. “Belneftekhim” dhe disa nga kompanitë e tij, përfshirë “Naftan” dhe “Belshina”, janë nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2011.
Sanksionet nga SHBA dhe BE
SHBA vendosi sanksione pas zgjedhjeve të vitit 2010 në Bjellorusi, të shoqëruara me represion, arrestimin e shumë kandidatëve presidencialë dhe fitoren e Aleksandar Lukashenkos. Sanksionet u pezulluan përkohësisht në vitin 2015 për shkak të “përparimit të caktuar në demokraci dhe të drejtat e njeriut”, si dhe për të mbështetur pavarësinë e Bjellorusisë.
Pas zgjedhjeve të gushtit 2020 dhe represioneve, SHBA i rivendosi sanksionet më 3 qershor 2021. Në vitin 2022, edhe Kanadaja dhe Ukraina vendosën sanksione ndaj “Belneftekhim”. Në gusht 2023, BE miratoi një paketë të re sanksionesh kundër Bjellorusisë, që përfshiu edhe “Belneftekhim”.
“Belshina” është një nga kompanitë e pakta që BE e hoqi nga lista e sanksioneve. Në mars 2024, Gjykata Evropiane vendosi se akuzat ndaj saj për financimin e regjimit të Lukashenkos dhe mbështetjen e luftës së Rusisë kundër Ukrainës ishin të pabazuara.
Megjithatë, një hetim gazetaresk bjellorus zbuloi se ndër klientët e “Belshina” është edhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut nuk tregojnë kundër cilave kompani bjelloruse ka sanksione vendi, por konfirmojnë se janë në fuqi ndalimet e hyrjes dhe tranzitit, kufizimet e import–eksportit, masat financiare dhe restrikcione të tjera ndaj Bjellorusisë.
Sipas përgjigjes zyrtare, pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, Maqedonia e Veriut iu bashkua masave të BE-së kundër Bjellorusisë “me qëllim mbështetjen e standardeve demokratike dhe si reagim ndaj përfshirjes së Bjellorusisë në agresionin rus kundër Ukrainës”.
Markovski me kompani në Beograd
Lidhjet e Borçe Markovskit në Serbi, që e ndihmuan të bëhej konsull nderi i Bjellorusisë, datojnë prej kohësh. Ai rezulton pronar 100% i dy kompanive në Serbi, sipas të dhënave të Regjistrit Qendror të Serbisë.
E para, me të njëjtin emër si në Manastir, “Markovski Company”, u regjistrua më 2 mars 2009, por ishte aktive vetëm 10 muaj, deri më 24 dhjetor kur u fshi nga regjistri. Menaxher i atëhershëm ishte Branislav Stoilkoviq, i cili tani ka një punishte ndërtimi pranë Beogradit, shkruan Radio Evropa e Lirë, servisi në gjuhën maqedonase.
Markovski ndez debatin në skenën politike në Shkup
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim për të dhënat e publikuara nga Byroja për Prokurime Publike, ku kompania “Markovski Kompani” nga Manastiri, në pronësi të Borçe Markovskit – konsull nderi i Bjellorusisë dhe biznesmen që shmang opinionin publik – rezulton përsëri lider absolut në vlerën e tenderëve shtetërorë të fituar për vitin 2024, me mbi 75 milionë euro kontrata, kryesisht me ndërmarrjen shtetërore AD ESM.
Ky biznesmen ka qenë i lidhur me kompani bjelloruse të sanksionuara nga SHBA për afërsi me regjimin autoritar të Aleksandër Lukashenkos, ndërsa në Serbi bashkëpunon me struktura të lidhura me ish-drejtorë të doganave dhe kompani publike të pyjeve. Këto lidhje paraqesin jo vetëm rrezik ekonomik e korrupsion institucional, por edhe rrezik për sigurinë kombëtare dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Edhe pse vitin e kaluar u anulua një kontratë prej 46 milionë eurosh dhe pati hetime të Prokurorisë dhe Policisë financiare për tenderë të dyshimtë, “Markovski” sërish kryeson listat, me një diferencë prej 32 milionë eurosh nga kompania e dytë në renditje.
Qeveria aktuale e VMRO-së, me mbështetjen e heshtur të partnerëve shqiptarë të VLEN-it, jo vetëm që nuk ka marrë masa për të ndaluar këtë praktikë të dyshimtë, por ka vazhduar të nënshkruajë kontrata të reja, duke u justifikuar me çmimet “më të ulëta” – një alibi e vjetër për kontratat e mëdha të pakontrolluara.
VLEN, e cila premtonte transparencë dhe luftë kundër korrupsionit, as që guxon t’i hapë këto çështje në qeveri dhe as që e llogarit kush në vendimmarrje. Ky është tregues se interesat e qytetarëve dhe orientimi strategjik euroatlantik janë sakrifikuar për interesa të ngushta politike dhe biznesore.
Aleanca për Shqiptarët kërkon të kryhet një hetim i plotë nga Prokuroria dhe institucionet antikorrupsion mbi të gjitha tenderët e “Markovski Kompani”, të bëhet transparencë të plotë mbi lidhjet me kompani dhe persona të sanksionuar nga SHBA dhe BE, dhe ndërprerje të kontratave me subjekte që kanë lidhje me regjime autoritare dhe të dyshimta për korrupsion.
Heshtja është bashkëfajësi. E ardhmja euroatlantike e vendit nuk mund të rrezikohet për tenderë dhe interesa të errëta, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët. Flaka Media