
Marmoush: I lumtur për golat, por na pret një sfidë e rëndësishme në Madrid
Një trigolësh në 14 minuta është rekordi i ri i Omar Marmoush për Manchester City. I ardhur në stadiumin “Etihad” në merkaton e janarit falë investimit të klubit anglez për ta marrë nga Eintracht Frankfurt, sulmuesi egjiptian ishte një përbindësh në fitoren 4-0 që “zitizens arritën ndaj Newcastle.
Duket se 26-vjeçari po merr kënaqësitë e tij të para në Premier League me Pep Guardiola si trajner: “Ishtë një ditë vërtet e bukur dhe ndjesia e jashtëzakonshme. Është trigolëshi im i parë në karrierë. Dua të falënderoj shokët e skuadrës, stafin dhe sigurisht trajnerin që më ndihmuan të arrij këtë moment”.
“Të gjithë më bënë të ndihem pjesë e kësaj familjeje që nga dita e parë. Jam shumë i lumtur. Cili ishte goli im i preferuar? Mendoj se i pari, sepse ishte goli im i parë për City dhe në Premier League. Ndjesia ishte e pabesueshme në këtë atmosferë, në këtë stadium, ishte shumë bukur”, tha Marmoush.
Ai shpreson që ky ritëm që skuadra tregoi ndaj Newcastle në kampionat të përsëritet në mesjavë në Champions League, ku “citizens” do të synojnë përmbysjen ndaj Real Madrid. “Tani do të fokusohemi në ndeshjen e radhës kundër Real Madrid. Të vijojmë kështu pasi mund t’ia dalim mbanë”, deklaroi Marmoush.