
Marrëveshja e Ohrit, Ambasadori Meidani apelon për zbatimin dhe avancimin e saj në rrethana të reja
Me rastin e 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, vlerësoi rëndësinë historike dhe aktuale të këtij dokumenti, duke e cilësuar atë si një angazhim të përditshëm për paqe dhe të ardhme europiane.
“24 vite paqe, bashkëjetesë dhe ndërtim i një shteti për të gjithë,” tha Meidani, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit është shumë më tepër sesa një dokument i së shkuarës.
Sipas tij, ky është një moment përcaktues për historinë politike të vendit:
“Marrëveshja e Ohrit mbetet një nga momentet më përcaktuese në historinë politike të Maqedonisë së Veriut, një gur themeli i shtetit modern.”
Ambasadori apeloi për zbatimin dhe avancimin e saj në rrethana të reja:
“Sot, më shumë se kurrë, ajo duhet të respektohet, të zbatohet, të avancohet dhe të mbrohet si një vlerë e përbashkët për paqe dhe bashkëjetesë.”
Meidani e përmbylli mesazhin e tij duke nënvizuar se Marrëveshja e Ohrit është jo vetëm një marrëveshje politike, por një garanci për stabilitetin dhe integrimin europian të Maqedonisë së Veriut. Flaka Media