Marta Kos: Ndryshimet kushtetuese janë hapi i domosdoshëm për nisjen e negociatave me BE-në
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi sot se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet kushti i domosdoshëm për nisjen e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski, Kos theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së bazohet në besim, angazhim dhe përmbushjen e obligimeve, e jo në garanci të dhëna paraprakisht.
“Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me garancitë që kërkon Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, Kos tha se zgjerimi i BE-së nuk ndërtohet mbi garanci, por mbi besimin, angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet konkrete”, u shpreh ajo.
Komisionerja evropiane shtoi se nuk mund të japë këshilla se si vendi duhet të ndërtojë besimin me fqinjët, por nënvizoi se ky element është vendimtar për ecurinë e procesit të integrimit.
“Sa më shumë besim të ketë mes fqinjëve, aq më i lehtë do të jetë përparimi në procesin e pranimit. Ky proces nuk është vetëm teknik dhe nuk përfshin vetëm zbatimin e reformave, por lidhet edhe me dinamikën politike në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Kos.
Ajo theksoi se besimi ndërtohet përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm me deklarata.
“Besimi mund të ndërtohet me vepra të mira, duke shmangur veprimet dhe retorikën që nxisin tensione, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe duke bashkëpunuar për çështjet me interes të përbashkët. Në Bashkimin Evropian ka shumë fusha ku mund të forcohet ky bashkëpunim”, deklaroi Marta Kos.