
Mbahet punëtoria për forcimin e kapaciteteve të policisë për mbrojtjen e gazetarëve
Sot (11.06) në Qendrën e Trajnimit pranë MPB në Idrizovo në kuadër të projektit, përkatësisht Programit të përbashkët të BE -së dhe Këshillit të Evropës për “Mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në Maqedoninë e Veriut” u mbajt një punëtori kushtuar kapaciteteve të policisë për mbrojtjen e gazetarëve(eve): Siguria, dhuna në bazë të gjinisë dhe shqetësimi onllajn.
Në këtë punëtori ekspertët-konsulentët pranë Këshillit të Evropës në disa seanca pune i prezantuan përvojat aktuale normative, procedurale dhe praktike në mbrojtjen e lirisë së shprehjes kryesisht përmes prizmit të veprimit institucional dhe në përputhje me standardet dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe praktikat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ndjekësit e trajnimit, pjesëtarët e disa njësive organizative në kuadër të MPB-së në fushën e marrëdhënieve me publikun, patën mundësinë përmes konceptit interaktiv të komunikimit të shfaqnin përvojat profesionale, si dhe idetë dhe sugjerimet për përmirësimin dhe avancimin e konceptit të mbrojtjes së gazetarëve dhe mbrojtjes të së drejtës për shprehjen e lirë.
Gjithashtu, në punëtori u prezantua fushata e Këshillit të Evropës – “Gazetarët (et) kanë rëndësi” nga personi nacional i kontaktit Muhamed Ismaili, ndihmës i ministrit të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike pranë MPB-së së RMV-së me ç’rast u theksua se në të ardhmen do të punohet në formimin e Komitetit Nacional për Sigurinë e gazetarëve që do të përpunojë Planin e Veprimit Nacional për Sigurinë e Gazetarëve në bashkëpunim me Zyrën e Programit të Këshillit të Evropës në Shkup.
Njëherësh si një produkt i drejtpërdrejtë i kësaj punëtorie, do të emërohen personat lokal të kontaktit pranë Sektorëve të punëve të brendshme, si pjesë e funksionimit sistematik në mënyrë që të mbrohet profesioni dhe integriteti i gazetarisë.
Përndryshe, këto lloje edukimesh është planifikuar të vazhdojnë në periudhën e ardhshme dhe paralelisht përmes bashkëpunimit të ndërsjellë të të gjitha institucioneve të përfshira me mbështetjen e partnerëve tanë të BE -së dhe Këshillit të Evropës të intensifikohen përpjekjet për ndërtimin e një sistemi të përshtatshëm i cili do të mundësojë mbrojtjen efikase, gjegjësisht sigurinë në realizimin e profesionit të gazetarisë dhe parandalimin e dhunës së bazuar në gjini dhe formave të ndryshme të shqetësimit onllajn.