Mbape: Dembele ka ndryshuar mentalisht, tani është më i qetë para portës
Ousmane Dembele është në një formë të shkëlqyer dhe paraqitjet e tij të fundit e dëshmojnë këtë. Sulmuesi anësor francez shënoi një tregolësh fantastik në fitoren 4-1 të PSZH-së ndaj Shtutgartit, e përsëriti këtë edhe të shtunën, në suksesin 5-2 kundër Brestit. Ish-lojtari i Barcelonës dhe Borussia Dortmundit po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij. Kilian Mbappé, duke folur për “L’Équipe”, e pranoi këtë gjë.
“Nuk jam i befasuar. Jam admiruesi i tij i parë. I njoh cilësitë e tij që nga mosha 14-vjeçare, por mendoj se ka pësuar një ndryshim mendor, që e ka bërë më të qetë para portës.
Ai është një lojtar i madh, përmirësimi i tij varet edhe nga pritshmëritë e trajnerit për të në atë pozicion. Po luan shumë mirë dhe është lojtari më i rëndësishëm i sulmit të PSZH-së. Me këtë formë që ka tani, nuk duhet të vendosë kufij për veten, thjesht duhet të vazhdojë kështu”.
Dembélé ka thyer një rekord që as vetë Mbape, golashënuesi më i mirë në historinë e PSZH-së, nuk ka mundur ta arrijë. Ai është bërë lojtari i parë në historinë e klubit parizien që realizon dy tregolësha radhazi në transfertë. As Nejmari, Ibrahimoviçi apo Kavani nuk e kishin arritur këtë sukses.
27-vjeçari tashmë ka shënuar 19 gola këtë sezon – 14 në Ligue 1 (golashënuesi më i mirë), 4 në Ligën e Kampionëve dhe 1 në Superkupë, si dhe ka dhënë 6 asiste. Sezoni i tij më i mirë deri më tani ishte ai 2018-2019, kur me Barcelonën shënoi 14 gola.