Mbape padit PSZH-në, klubi francez rrezikon të largohet nga Liga e Kampionëve?!
Jo vetëm që vendosi të largohej nga Paris Sen Zhermeni për në Real Madrid si transferim i lirë, por Kilian Mbape vendosi t’i jepte një goditje të fundit të ashpër ish-klubit të tij. Sulmuesi francez, pavarësisht ofertave fitimprurëse për të qëndruar në PSZH dhe për t’u bërë legjendë e klubit, vendosi të përmbushë ëndrrat e tij dhe të transferohet te Real Madrid.
Një nga futbollistët më të mirë të ditëve të sotme u transferua falas te Reali, pasi i skadoi kontrata me PSZH-në dhe në Madrid tashmë ka luajtur dy ndeshje zyrtare, ka shënuar një gol dhe ka fituar Superkupën e Evropës. Megjithatë, ai nuk e harroi PSZH-në. Mirëpo, marrëdhënia e tij me parisienët nuk është më aq e mirë, ndaj ai e ka kujtuar në atë mënyrë ish-klubin e tij, saqë e ka paditur.
Sipas gazetës franceze “Le Monde”, Mbape ka vendosur të ngrejë një padi kundër PSZH-së dhe ta dorëzojë atë në adresat e UEFA-s dhe Ligës së Futbollit Profesional Francez (LFP).
Mbape raportoi se PSZH nuk i kishte paguar paratë që i kishte borxh, që është një shifër prej 55 milionë eurosh paga dhe bonuse të papaguara. Ajo që mund të jetë më e keqja për PSZH-në, është se në rast të shpalljes fajtor, klubi parisien rrezikon përjashtimin nga Liga e Kampionëve.