“Mbi 10 mijë shqiptarë përdorues të Sky ECC”, gazetari: Dekodimi i kodeve s’është i lehtë
Janë rreth 170 mijë përdorues të Sky Ecc në botë dhe 3 milionë sms në ditë të shkëmbyera mes përdoruesve. Këto shifra të bazuara në të dhënat e Europol u bënë publike në Debatin me Alba Alishanin nga gazetari i A2 CNN Armand Bajrami. Sipas të cilit edhe numri i shqiptarëve përdorues të këtyre aplikacioneve është mjaft i lartë, por jo çdo komunikim i tyre është në duart e SPAK.
“Sipas Europol në rang global kanë qenë 170 mijë përdorues të Sky Ecc dhe 3 milionë sms në ditë të shkëmbyera mes përdoruesve. Numri i përdoruesve shqiptarë është i konsiderueshëm nuk ka shifër të saktë zyrtare, por është mbi 10 mijë, është përfolur deri në 16 mijë. Por jo çdo komunikim i shqiptarëve është në duart e SPAK”.
Ai thotë se dekodimi i kodeve është i vështirë, por bazuar në burimet që ka nga SPAK ai thotë se përdoruesit dhe personazhet e krimit kanë bërë gabime me foto e të dhëna personale.
“SPAK po operon në këtë lloj forme që në dosjet që ka nën hetim pasi identifikon një kod të caktuar. Më pas në varësi të hetimit i drejtohet partnerëve respektive që i zotërojnë këto të dhëna duke kërkuar rast pas rasti përmes letër porosive materialet shtesë për kodet e caktuara SPAK ka pafundësi materialesh nga ENCROCHAT dhe SKY ECC. Dekodimi nuk është proces i lehtë përpos komunikimeve në gjuhën shqipe, por ajo që unë di nga burime pranë SPAK, fat për njerëzit e hetimit janë bërë vetë gabimet e përdoruesve të SKY ECC. Transmetimi i të dhënave personale, fotografia, bileta e udhëtimit çka ka bërë që të gjendet përqasja. Këto kanë qenë raste fatlume ku kanë bërë gabime të kësaj natyre, në raste të tjera mund të ketë qenë më i vështirë, por i kanë përafruar me personazhe të tjera”.
Atentati i prokurorit Ndoja është rasti i parë ku u provuan materialet e Sky ECC, deklaroi gazetari i A2, për t’u pasuar edhe nga çështje të tjera sikurse “Metamorfoza”.
“Dosja e parë ku është përdorur për herë të parë prova ka qenë ajo e dy personave që u arrestuan për atentatin e ish-prokurorit Arian Ndoja. U arrestuan Redian Rraja dhe Artiol Halilaj që janë të dënuar. U dokumentuan me prova të tjera, por në këtë dosje ishte dhe Plaurent Dervishaj. Këtu është ekspozimi i parë i materialeve SKY ECC në një dosje për një çështje që u kërkuan masa sigurie në gjykatë. Më pas dosja metamorfoza, një dosje që ekspozoi dyshimet e SPAK për bashkëveprim të elementëve të krimit të organizuar dhe përfshirjen e funksionarëve të drejtësisë njerëz të biznesit dhe një zyrtar i lartë i policisë Oltion Bistri”.
/a.r