AA
Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri i Licencave të Odës së Mjekëve, Maqedonia ka 509 mjekë më pak këtë vit sesa vitin e kaluar, zbuloi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Aliu vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një Strategji Kombëtare për personelin e nevojshëm mjekësor, por gjithashtu se po punohet për shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore me qëllim uljen e përqendrimit të pacientëve në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.
“Për fat të keq, është bërë normale që çdo pacient të përfundojë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Deri në 70 përqind e pacientëve atje marrin shërbime shëndetësore, ndërsa ata duhet t’i marrin ato në nivelin parësor dhe sekondar”, tha ministri.
Ai shtoi se organizata e re pritet të zvogëlojë numrin e pacientëve në kompleksin klinik qendror dhe të shkurtojë kohën e pritjes për ekzaminime dhe ndërhyrje.
Lidhur me ndryshimet e mundshme të personelit, Aliu deklaroi se analiza e profileve dhe proceseve është përfunduar, dhe se pas saj kryeministri do të duhet të vendosë nëse do të pasojë një riorganizim i qeverisë.
“Si ministër, po kryej punën time”, shtoi ai.
Kujtojmë se në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023.
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se SHBA dhe RMV kanë arritur Marrëveshje korrnizë për tregti reciproke, të
Edhe një dorëheqje nga Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion. Cveta Ristovska ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i anëtares së
Denoncimi i TV Shenja për semaforin dekor të vendosur 5 vite më parë në bulevardin “Hristian Todorovski Karposh” ka alarmuar