Mbi 6.4 miliardë dollar janë harxhuar për 11 mië transferime?!
FIFA ka publikuar “fotografinë” e saj të transferimeve ndërkombëtare (1 qershor-2 shtator 2024). Një analizë e aktivitetit të transferimit të lojtarëve ndërkombëtarë gjatë afatit kalimtar të mesit të vitit 2024, duke zbuluar një seri shifrash rekord në futboll, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.
“Jemi të kënaqur t’jua prezantojmë këtë raport dinamik, i cili u prodhua nga ekipi ynë në Majami dhe ofron një kuptim unik të dinamikës kryesore të afatit kalimtar të mesvitit. Sapo kemi përmbyllur një sesion merkatoje shumë intensive, e cila, ndër të tjera, konfirmoi zhvillimin e vazhdueshëm të transferimeve në futbollin e femrave. Tendencat aktuale nxjerrin në pah gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullator të sistemit të transfertave,” tha Emilio Garsia Silvero, shefi përkatës në FIFA.
Në futbollin profesionist për meshkuj, një total prej më shumë se 6.4 miliardë dollarë u shpenzuan për tarifat e transferimit, çka është shuma e dytë më e lartë ndonjëherë në këtë drejtim. Mbi 10.900 transferime ndërkombëtare janë regjistruar në futbollin profesionist për meshkuj në mbarë botën, një rekord i të gjitha kohërave.
Klubet angleze kryesuan merkaton e verës, duke shpenzuar më shumë se 1.6 miliardë dollarë. Numri më i madh i transfertave në hyrje u krye nga klubet angleze, të ndjekura prej klubeve nga Brazili dhe Portugalia. Në futbollin profesionist për femra, 6.8 milionë dollarë u shpenzuan për transferime ndërkombëtare, më shumë se dyfishi i shumës së shpenzuar në dritaren e mëparshme të mesvitit.
Përveç kësaj, më shumë se 1.100 transferime ndërkombëtare u regjistruan në futbollin profesionist të femrave në mbarë botën, një rekord i ri dhe një rritje prej më shumë se 30% krahasuar me dritaren e mesit të vitit 2023.