Mbrojtësi i Barcelonës, humb pjesën e parë të sezonit!
Ronaldo Arauho pësoi një dëmtim të rëndë në çerekfinalen e Kupës së Amerikës ndaj Brazilit. Mbrojtësi u detyrua të largohej në lot nga fusha në minutën e 30 të pjesës së parë. Dhe, në fakt vizitat më të detajuara konfirmuan problemin e rëndë për lojtarin e Barcelonës. Arauho duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale dhe në këtë mes e pëson edhe klubi katalanas.
Koha e rikuperimit është e gjatë dhe mbrojtësi pritet të qëndrojë jashtë fushave deri në muajin dhjetor. Thënë ndryshe, Arauho do të humbasë kështu gjysmën e parë të sezonit 2024-2025, duke krijuar një shqetësim të madh për trajnerin e Barçës, Hansi Flik.
Drejtuesit spanjollë kanë nisur tashmë të dyshojnë për aspektin fizik të Arauhos që prej momentit që është shndërruar në një lojtar të Barcelonës ka pësuar plot 15 dëmtime dhe vështirë se mund t’i rinovojnë kontratën që skadon në vitin 2026. Nga ana tjetër, Barcelona pritet të futet në merkato për të shtuar opsionet në repartin difensiv.