Mbyllet pika kufitare “Bogorodica”, zjarr në anën greke
Vendkalimi kufitar Bogorodicë është mbyllur për shkak të zjarrit që ka shpërthyer në anën greke të kufirit.
Nga MPB-ja e Maqedonisë njoftojnë se komunikacioni përmes kësaj pike kufitare aktualisht është i ndërprerë dhe po ndërmerren masa intensive për shuarjen e zjarrit.
“Pas shuarjes së tij do të mundësohet sërish lëvizja përmes kësaj pike kufitare. Apelojmë qytetarët të mos drejtohen në këtë vendkalim kufitar derisa të bëhet e ditur se zjarri është shuar dhe qarkullimi është normalizuar”, thuhet në njoftimin e MPB-së për qytetarët.
Ndërsa LAMM njoftoi se veturat janë duke u devijuar në pikën kufitare “Dojran”.
Mediat greke raportojnë se në shuarjen e këtij zjarri marrin pjesë 22 zjarrfikës dhe 10 automjete, si dhe edhe një helikopter, i cili e shuan zjarrin nga ajri.