Mbyllja hetimit për spitalet modulare – Filipçe tha se vendimi është i drejtë, Mickoski e quajti politik
Një ditë pasi Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbylli lëndën për furnizimin dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare gjatë pandemisë, sot për këtë çështje janë përplasur partitë politike me në krye kryetarët e tyre.
Kryetari i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe, i cili në kohë ka qenë minsitër i shëndetësisë, tha se Prokuroria, e ka thënë të vërtetën dhe se me këtë vendim ka konfirmuar se nuk ka pasur keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe as dëm ndaj buxhetit. Ai tha se për pesë vite Mickoski dhe, siç i cilësoi ai, grupi i tij kriminal, kanë përhapur gënjeshtra për të dhe e kanë quajtur vrasës.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Për pesë vite flasin për mua se jam vrasës, më krahasojnë me vrasës, më krahasojnë me doktor Mengelen, imagjinoni, mua që shpëtoj jetë, për të cilin shëndeti i qytetarëve është në vend të parë. Nuk ndaluan. Nuk ndaluan as dje, pas vendimit të Prokurorisë, dolën disa anëtarë të rinj të grupit kriminal dhe vazhduan me këtë, ndërsa sot edhe kryeministri në konferencën për shtyp”.
Në debat është përfshirë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili përgjegjësinë ia atribuon organeve të drejtësisë, veçanërisht shefit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, për të cilin Mickoski pretendon se ka vepruar me urdhra politikë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Për fat të keq, prokurori i cili tashmë është në largim – pasi, nga ajo që jam i informuar, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – supozoj se marrëdhëniet e tij detyrimore-kredituese ndaj qeverisë së mëparshme vendos t’i përmbushë deri në fund dhe nuk i intereson fakti që 14 njerëz u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 njerëz, kjo nuk do të thotë asgjë për të dhe vendos që ta ndalë këtë proces.”
Në të njëjtën linjë është edhe partneri tjetër i koalicionit qeverisës, VLEN, i cili, përveç prokurorit Abazi, përgjegjësinë për këtë çështje ia hedh edhe BDI-së.
VLEN
“Ali Ahmeti dhe Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi i detyrohen publikut një përgjigje: si është e mundur që pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se “fajtor” është kablloja? Ky rast rrezikon të mbetet një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjshmërisë institucionale dhe të një drejtësie të kapur.Drejtësia nuk mund të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni i askujt”.
Ndërkaq, nga Levica vlerësojnë se ky rast dëshmon mosndëshkueshmërinë e ndërsjellë të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.
LEVICA
“14 njerëz humbën jetën, kaluan pesë vite, tri prokurore e ndryshuan lëndën, u ndërruan dy qeveri, ndërsa elita politike dhe e biznesit përsëri del pa barrë juridike nga e gjithë kjo histori. Prokuroria njoftoi se nuk ka konstatuar bazë dyshimi për keqpërdorime gjatë furnizimit… Kur edhe pas një tragjedie të përmasave të tilla bilanci institucional është kaq steril, banaliteti i përgjegjësisë bëhet edhe më i dukshëm – e rreptë ndaj atyre poshtë, ndërsa gjithnjë e më e butë ndaj atyre lart”.
Prokuroria e hapi lëndën për spitalet modulare, pas djegies së spitalit modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona. Rasti është hapur me iniciativë të vetë Prokurorisë në shtator të vitit 2021, me qëllim që të shqyrtohej i gjithë dokumentacioni lidhur me prokurimet dhe të verifikohej nëse kishte elemente të përgjegjësisë penale. Prokuroria vlerësoi se asnjë zyrtar nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe as nuk e ka keqpërdorur detyrën me qëllim të përfitimit pasuror apo shkaktimit të dëmit. Për këtë arsye, nuk janë përmbushur elementet ligjore për përgjegjësi penale.
Samir Mustafa /SHENJA/
