“Me kaq e përfundoj…” – A ishte një sinjal ‘zhdukja’ e Faton Hajrizit nga TikTok-u?
Emri më i përfolur ditëve të fundit që kulmoi me rastin e vrasjes së policit serb është Faton Hajrizi, i arratisuri nga burgu i Smrekonicës. Hajrizi, që arriti të ikë për herë të nëntë nga burgjet e Kosovës më 6 korrik, po përmendet si i dyshuari kryesor për rastin që ndodhi mbrëmë në Serbi, ku një zyrtar policor serb u vra dhe një tjetër u plagos.
Si në filma, Faton Hajrizi i iku shtetit, u shfaq në rrjete sociale për rreth 2 javë dhe papritmas u zhduk. Largimi i tij nga TikTok-u, platformë kjo që u shfrytëzua nga ai për të dhënë edhe deklarata bombastike, pasoi me vrasjen e mbrëmshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndonëse akoma nuk është konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e policit serb është Faton Hajrizi, shumë pista janë hapur – teksa është i përfshirë në një formë indirekte edhe vëllai i tij, Artan Hajrizi.
Në vendin e krimit, autoritetet serbe njoftuan se e gjetën një pasaportë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi. Por, ministri i Brendshëm serb, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
Artani u lajmërua sot në media dhe bëri të ditur se ndodhet në Gjermani – e nuk ka gisht në rastin ku është i përfshirë i vëllai. Këtë të fundit, ai e akuzoi për vjedhjen e pasaportës që tashmë u gjet, duke u distancuar nga i njëjti publikisht.
A ishte sinjal largimi i Faton Hajrizit nga TikTok se do të ndodhte diçka?
Pa paragjykuar rrethanat e rastit dhe përfshirjen e tij në çfarëdo forme në vrasjen e policit në Serbi, Hajrizi siç duket u zhduk nga ky rrjet social, pa ndonjë arsye – pasi i njëjti tashmë ndodhej në arrati dhe paraqitej pothuajse çdo ditë ‘live’ që nga arratisja nga burgu.
Sinjalizues të Sinjalit kanë dërguar në adresë të redaksisë disa video të shkëputura nga një ‘live’ ku Faton Hajrizi ishte i vetëm dhe komunikonte me ndjekësit, ku ndër të tjera, i njoftoi se nuk do të shfaqej më në TikTok.
“Ju përshëndes, me kaq unë e përfundoj TikTok-un këtu edhe respektet e mija deri në fund. Unë jom profil i Hollivudit, person i Hollivudit. E pres ndihmën e popullatës… nuk jom armik i popullit, jam dashamir i popullit.” – thoshte ai.
Hajrizi, i cili e ka renditur si arsye të arratisjes edhe trajtimin e tij, i mllefosur dëgjohet duke treguar disa raste që i kanë ndodhur në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“A e dini çka m’ka ndodhë mu në Burg të Sigurisë së Lartë bre. Zhag më kanë ngreh dhe i kanë qitë të burgosurit kon pe ngrehum zhag. Me pa ata tjerët që runu ju. Atje o kasaphane, fabrikë e krimit. Atje krejt janë të poshtër dhe të padrejtë. Atje nuk këqyret ligji. Përpos Dubravës, tjerat burgje, Zoti jau ktheftë se nuk e kom men me u merr me ta”.
Se a ishte kjo deklaratë një sinjal që ai po largohej, për të plasur ‘bombën’ më pas ende s’dihet dhe një gjë e tillë pritet të konfirmohet më tutje.
Arrestimet për rastin
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, po ashtu njoftoi se policia ka arrestuar Mithat Haxhiqin nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.
Po ashtu, një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.
Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.
Ndërkaq, në Mlladenoc të Serbisë është arrestuar edhe gruaja e tij, e dyshuar si bashkëpunëtore./GazetaSinjali/