Mediat, De Gea së shpejti do të firmos me një klub nga Arabia Saudite
David de Gea, raportohet se është në bisedime me klubin e Ligës Saudite, Al-Shabab. De Gea u largua nga “Djajtë e Kuq” në fund të sezonit të kaluar, duke i dhënë fund aventurës 12-vjeçare në “Old Trafford”. 33-vjeçari dukej se do të nënshkruante një kontratë të re me klubin qershorin e kaluar, duke hequr dorë nga një pjesë e pagës, por Man. Junajted më pas u tërhoq nga bisedimet dhe vendosi që të nënshkruajë me Andre Onana-n.
Pasi paraprakisht ishte lidhur me një kalim tek Al-Nassr dhe Njukasëll, mediumi anglez “Daily Mail” pretendon se bisedimet me Al-Shabab për transferimin e tij janë të avancuara.
De Gea, i cili pati 545 paraqitje për “Djajtë e Kuq”, thuhej se u largua nga klubi për shkak se bordi i klubit dëshironte një portier, i cili di të luajë me topin në këmbë dhe mund të nis aksionet. Teksa Onana është më i mirë në këtë aspekt. Sezonin e fundit të De Geas me fanellën e Man. Junajtedit, ai e fitoi ‘Dorezën e Artë’ të Premier Ligës pasi mbajti 17 porta të pastra në sezonin ku Junajtedi përfundoi në pozitën e tretë në tabelë.
Kjo njëherësh ishte hera e dytë që spanjolli e kishte fituar këtë çmim, pasi paraprakisht kishte qenë fitues i tij edhe në sezonin 2017/18 kur atëherë kishte mbajtur 18 porta të pastra.