
Medvegjasi Muharrem Salihu: Serbia duhet të rikthej adresat e pasivizuara të shqiptarëve-të drejtat nuk janë çështje simbolike, as retorike
AA
Përmes një reagimi të qartë dhe të drejtpërdrejtë në Facebook, afaristi dhe aktivisti politik, Muharrem Salihu me origjinë nga Medvegja ka vënë theksin mbi domosdoshmërinë e rikthimit të adresave të pasivizuara të shqiptarëve në jug të Serbisë, duke e cilësuar si thelbësore për garantimin e të drejtave qytetare.
Deklarata e Salihut vjen në kohën kur deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve. Salihu thotë se e vlerëson çdo nismë që adreson diskriminimin ndaj shqiptarëve, përfshirë edhe këtë rezolutë, por thekson se nuk mjaftojnë fjalët e përgjithshme apo retorika.
“Të drejtat nuk janë çështje simbolike, as retorike. Nuk mund të ketë të drejta pa njerëz,” – shprehet ai.
Sipas tij, çështja e pasivizimit të adresave përbën një veprim administrativ perfid që po shndërrohet në një formë të spastrimit të heshtur etnik, veçanërisht në Medvegjë, duke ndikuar në ndryshimin e strukturës etnike në jug të Serbisë me ritme të shpejta.
Salihu kërkon që çdo tekst zyrtar që pretendon të adresojë pozitën e shqiptarëve në Serbi të shprehë qartë rikthimin e adresave, së bashku me të gjitha të drejtat qytetare, politike dhe sociale që u janë mohuar mijëra shqiptarëve.
“Po kërkojmë të drejta për ata që nuk janë më të pranishëm në letër – një absurditet në vetvete,” thekson ai.
Ai kritikon edhe heshtjen shumëvjeçare institucionale dhe politike mbi këtë çështje, duke i bërë thirrje të gjithëve që ta trajtojnë me ndershmëri dhe përgjegjësi këtë padrejtësi.
“E ardhmja e shqiptarëve në Serbi nuk do të ndërtohet mbi harresë apo retorikë – por mbi drejtësi, rikthim të të drejtave të mohuara, dhe mbi një kujtesë që nuk pranon të fshihet,” përfundon Salihu.
Ky reagim vjen në një moment kyç për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndërsa kërkesat për rikthimin e të drejtave dhe ndërprerjen e pasivizimit po shtohen nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.