
MEPSO dhe KOSTT me hap të përbashkët drejt sigurisë energjetike, projekti interkonektiv Tetovë–Prizren merr hov të ri
Në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e energjisë, drejtori i përgjithshëm i MEPSO, Burim Latifi, realizoi një takim të rëndësishëm në Prishtinë me ushtruesin e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT, Shaban Neziri.
Në qendër të takimit ishte projekti strategjik për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Tetovë–Prizren, një hap i rëndësishëm drejt ndërlidhjes së fuqishme të sistemeve elektroenergjetike të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ky projekt është në përputhje të plotë me udhëzimet e ENTSO-E dhe përfaqëson një komponent kyç në planet afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik në rajon.
Projekti pritet të sjellë përfitime të shumta, përfshirë:
Rritjen e kapaciteteve të ndërlidhjes ndërmjet dy shteteve;
Përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji;
Mundësi të reja për tregti më efikase të energjisë në tregun rajonal;
Mbështetje për integrimin e burimeve të ripërtëritshme, si pjesë e tranzicionit të gjelbër.
Palët u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin teknik dhe institucional në periudhën në vijim, me qëllim realizimin e suksesshëm të këtij projekti jetik për sigurinë energjetike të të dy vendeve dhe më gjerë.