
Mërgata Shqiptare në Zvicër: Aleanca për Shqiptarët nuk ka më vend për Arben Taravarin, Bashkimi rreth Ziadin Selës është domosdoshmëri
Mërgata shqiptare në Zvicër ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit brenda Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se rruga e ndarjes dhe përçarjes nuk përfaqëson idealet mbi të cilat u ndërtua kjo lëvizje politike. Në një deklaratë të fuqishme dhe emocionuese, përfaqësues të mërgatës bëjnë thirrje për bashkim rreth liderit themelues, Ziadin Sela, ndërsa përjashtojnë kategorikisht Arben Taravarin nga ky vizion i bashkuar.
“Ne që kemi sakrifikuar dhe mbështetur përpjekjet për një përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në vendlindje, nuk mund të qëndrojmë më në heshtje,” thuhet në deklaratë.
Mërgata vlerëson Selën si një lider që ka qëndruar gjithmonë në krah të popullit, duke refuzuar pazaret politike dhe duke mbrojtur interesat e shqiptarëve me përkushtim dhe ndershmëri.
Në të kundërt, Arben Taravari akuzohet për devijim nga idealet e Aleancës, për “pazare politike” dhe vendime që, sipas mërgatës, kanë dëmtuar unitetin dhe kauzën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk kërkojmë hakmarrje, por qëndresë dhe pastërti,” thuhet në deklaratë. “Aleanca për Shqiptarët duhet t’u kthehet themeleve dhe duarve që e ndërtuan me sakrificë.”
Deklarata përmbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë:
“Bashkohuni te Aleanca për Shqiptarët e vërtetë! Bashkohuni te Ziadin Sela! Bashkohuni për të ardhmen e shqiptarëve!”