Mes protestave masive në Serbi, Vuçiq gjen arsye për ta përmendur Kosovën
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq deklaroi të mërkurën se protestat e studentëve në vend nuk janë protesta studentore, por ato kanë mbështetje nga jashtë.
Në takimin “E ardhmja, jo e kaluara”, e cila është pjesë e një nisme më të gjerë për dialogun me të rinjtë, Vuçiq tha se një nga arsyet kryesore për protesta është kundërshtimi ndaj miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara.
Ai tha se “në ditët në vijim do të zbulohen shumë dëshmi që vërtetojnë se pas ngjarjeve të fundit në Serbi ka mbështetje të madhe nga faktorët e huaj.”
Sipas tij, protestat kanë synime jo vetëm të brendshme, por edhe ndërkombëtare, duke akuzuar “të fuqishmit në botë” për “tri arsye”.
“Për shkak se duan ta përfundojnë punën rreth Kosovës sa më shpejt, nuk mund të durojnë që Serbia të jetë fuqi lidere në rajon, dhe sepse Serbia i rezistoi votimit të Rezolutës për Srebrenicën në OKB”, tha Vuçiq.
Vuçiq nuk iu përgjigj pyetjes nëse Qeveria e Serbisë do t’i plotësojë kërkesat e studentëve që protestojnë prej javësh në mbarë vendin, duke kërkuar përgjegjësinë për aksidentin në Novi Sad ku 15 persona humbën jetën, raporton Danas.