
Mesazh i fuqishëm në drejtim të Rusisë: Amerika do ta mbrojë çdo centimetër të vendeve anëtare të NATO-s!
AA
Nga Bahri Cani
Nga Amerika vjen në këto momente një mesazh shumë i fuqishëm dhe i rëndësishëm në drejtim të Rusisë dhe çdo agresori potencial: Ambasadori i ri amerikan në Kombet e Bashkuara, Michael Waltz tha se: SHBA dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s.
Këto fjalë ai i tha gjatë paraqitjes së tij të parë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kjo deklaratë është pritur me shumë vëmendje në veçanti nga vendet e afërta me Rusinë, siç janë Estonia, Letonia e Lituania, por edhe Polonia, Rumania dhe vende të tjera ku Rusia kohët e fundit ka provokuar hapur duke dërguar drone dhe avionë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar shpesh mendimet për shumë çështje, por ky prononcim i Ambasadorit në KS të OKB jep shpresë se Amerika është e gatshme që tërësisht të zbatojë rregullat e NATO-s që parashikojnë mbrojtjen e çdo vendi anëtar të Aleancës.
Ambasadorja britanike tha se ata janë syhapur dhe shumë të kujdesshëm e të gatshëm për mbrojtje. Me tone të ngjashme janë shprehur edhe ambasadorët e tjerë të vendeve të NATO-s.
Ndërsa ambasadori rus në OKB Dmitry Polyansky akuzoi Evropën për “urrejtje primitive” ndaj Rusisë. Sipas tij, Evropa po bëhen përpjekje për ta portretizuar Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë pan-evropiane.
Ai tha se tek popullata evropiane po krijohet bindja se “lufta me Rusinë është e pashmangshme”, që ai i quajti si “përhapje e gënjeshtrave të hapura” dhe “nxitje të paranojës që ka arritur nivele të papara”.
Kush do, le t’i besojë pohimeve të ambasadorit rus. Unë për vete kam probleme tu besoj fjalëve që vijnë nga Mosma në vitet e fundit…
Seanca e KS të OKB po mbahet me kërkesë të Estonisë, për shkak të provokimeve shumë të rrezikshme ruse me futjen e avionëve rusë në territorin e saj.