Mexhiti: Asfalt i ri dhe standard urban në rrugën “Metodija Mitevski”
Asfalt i ri, trotuare të standardizuara dhe ndriçim publik janë pjesë e projektit që po realizohet në rrugën “Metodija Mitevski”, theksohet në komunikatë, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Sot u realizua asfaltimi i rrugës, pas rregullimit dhe standardizimit paraprak të trotuareve. Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së sigurisë për këmbësorët dhe vozitësit.
Punimet do të vijojnë me fazën përfundimtare, e cila përfshin vendosjen e ndriçimit publik, duke e bërë hapësirën më të sigurt dhe më funksionale për të gjithë banorët.
“Në Çair po bëhet punë konkrete. Investime reale dhe standard që qytetarët i meritojnë. Çdo rrugë e rregulluar është një hap më shumë drejt një komune më të zhvilluar dhe më të sigurt,” theksoi Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Në vazhdim do të punohet me të njëjtin intensitet edhe në asfaltimin e rrugëve të tjera të parapara në kuadër të këtij projekti për Komunën e Çairit.