Mexhiti mohon të ketë “përplasje në VLEN”: Këto spekulime dalin nga “kuzhina” e BDI-së
Sa më shumë afrohet data për të dorëzuar listat e partive politike në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, aq më e ndezur bëhet situata në çdo parti. Sot ka qarkulluar një lajm në mediat online e që i referohet më shumë Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit e që në fakt tashmë është pjesë e koalicionit opozitar VLEN, për ndonjë pakënaqësi në koalicionion VLEN. Lajmi më tej shkruan se gara më e vështirë paraqitet në koalicionin VLEN ku në këtë koalicion marrin pjesë pesë parti politike.
Mirëpo, këto lajme i cilëson si të rrejshme kreu i LD-së, Izet Mexhiti,i cili thotë se lajme të tilla janë pikërisht nga “kuzhina” të BDI-së nga frika e humbjes së zgjedhjeve.
“Dua që ashpër të demantoj të pavërtetat e plasuara në opinion nga portalet e financuara nga BDI të cilat veçmë janë të njohura për shpërndarje të lajmeve të rrejshme dhe të shtrembëruara. Opozita VLEN është e bashkuar si kurrë më parë, dhe lajmet e tilla nga kuzhinat e BDI-së rrjedhin nga frikshmëria për humbjen e zgjedhjeve”, theksoi kështu Mexhiti.
Ai poashtu tha se pushtetarët bien dhe zgjohen nga gjumi me shpresën që të përçajnë opzitën.
“Shpresa me të cilën bien edhe zgjohen pushtetarët është përçarja e opozitës, por dëshira e kotë është”, tha Mexhiti.