Mexhiti: Opozita e ka dorëzuar lojën në Saraj, anëtarësia e BDI-së t’i bashkohet Elmazit
Një nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti sonte nga tubimi në Saraj tha se nga këtu e sheh vulën e fitores më 19 tetor, pra në komunën e Sarajit në krye me Muhamet Elmazin.
Si qeverisje, shtoi ai, vetëm për 15 muaj dëshmuam se dimë të bëjmë konkurrencë në kampin politik shqiptar dhe të qeveriset pa korrupsion.
“Në këto zgjedhje lokale VLEN nuk del për të fituar VLEN-in, por me VLEN-in fitojnë shqiptarët, kandidatët e pavarur, bartësit e listave, kryetarët e komunave dhe VEN po zgjerohet dhe unifikohet”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se opozita e ka humbur busullën dhe sikur e ka dorëzuar lojën edhe në këtë komunë.
“Vetë u përmend këtu se xhaxhi Ali e ka dorëzuar lojën në Saraj, ia ka dorëzuar kandidatin Arben Taravarit, këtu xhaxhi Ali frikësohet ta përmend BDI-në, por e mbështjellin bashkëpunimin herë me Frontin evropian, herë më Frontin kombëtar, herë Besëlidhje apo AKI. Pra, xhaxhi Ali i thotë anëtarësisë së vet, votoni dhe vraponi për kandidatin që e servon Taravari, por ai nuk e di se ku përfundon Taravari me zik- zaket e tij, herë te VLEN, herë andej, e ka humbur busullën”, tha zëvendëskryeministri i parë, Mexhiti, njëherësh kandidat për kryretar të Çairit.
Ai ka edhe një apel për anëtarësinë e sinqertë të BDI-së.
“Ata që i kanë besuar vizionit të dikurshëm BDI- UÇK, duhet sot ta braktisin këtë anije që është fundosur dhe të shkojnë radhëve të Muhamet Elmazit, sepse aty do të kenë shërbëtorin e popullit, idealin e vërtetë, njeriu i cili ka përvesh krahët të punojë për Sarajin, sepse nuk do të jetë vet”, tha Mexhiti.
Shton se VLEN meriton të ketë edhe qeverisjen lokale, sepse shqiptarët kanë vendosur që VLEN të jetë këto 4 vite në qeveri dhe tani edhe pushtetin lokal.