Mexhiti paralajmëroi ndërtimin e një biblioteke mbi sheshin “Skënderbeu”
“Libri nuk është e kaluar, por e ardhme”, me këtë mesazh, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, e cilësoi Panairin Shqiptar të Librit “Shkup 2026” si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të organizuara në Shkup. Për katër ditë me radhë, Sheshi “Skënderbeu” u kthye në hapësirë të kulturës, dijes dhe gjuhës shqipe, duke mbledhur autorë, botues dhe mijëra vizitorë nga vendi dhe rajoni. Mexhiti paralajmëroi edhe nisjen e procedurave për krijimin e një biblioteke dhe leximoreje moderne në gjuhën shqipe në hapësirën mbi Sheshin “Skënderbeu”. Ai vlerëson se hapësira mbi sheshin Skenderbe duhet të jetë një qendër e gjallë e dijes, vend për nxënës dhe studentë, vend për promovime debate dhe mbrëmje letrare, vend për librin shqip por edhe për dialog kulturor, vend ku të rinjtë do të kenë qasje në literaturë përmbajtje moderne, resurse digjitale dhe programe kreative.
IZET MEXHITI, KRYETARI I KOMUNËS SË ÇAIRIT
“Ky panair dëshmoi se kur ka vizion përkushtim dhe organizim të mirë, kultura bëhet e gjallë, nuk mbetet e mbyllur në salla dhe kabinete por del mes qytetarëve. Sheshi Skenderbe këto ditë ishte dëshmi e kësaj, po kjo është vetëm një pjesë e vizionit më të gjërë që po ndërtojmë për Çairin. Prandaj sot si vazhdim i kësaj nisme kulturore dua të paralajmëroj edhe një hap tjetër të rëndësishëm. Komuna e Çairit do të nisë procedurën për përgaditjen e projektit për një leximore, bibliotekë me libra në gjuhën shqipe. Qëllimi ynë është që hapësirën mbi sheshin Skenderbe ku ekziston një konstruksion me potencial transformimi të marrë një funksion të ri kulturor dhe arsimor”.
Ndërkaq kujtojmë se në këtë panair morën pjesë 55 shtëpi botuese nga Maqedonia e Veriut, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, u prezantuan mijëra tituj, u zhvilluan takime me autorë promovime, biseda letrare dhe aktivitete kulturore, si dhe u ndanë 5 çmime të mëdha dhe dy të tjerë special.
Anida Murati /SHENJA/