
Mexhiti – Taravarit: Ti nuk e solle ndryshimin, po kthehesh tek lista e zezë
Tensionet politike pas vendimit të Arben Taravarit për të tërhequr Aleancën për Shqiptarët (ASH) nga qeveria po thellohen, teksa vijnë reagime të fuqishme edhe nga partnerët e deritanishëm.
Izet Mexhiti ka akuzuar kreun e ASH-së se ka tradhtuar frymën e ndryshimit dhe besimin e qytetarëve shqiptarë.
“Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin.
Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë.
Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhtove Qeverinë.
Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASH-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASH-së.
Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari – intelektual apo i paarsimuar, punëtor ose afarist, burrë a grua – ti je zhgënjimi i secilit aktivist e simpatizant, i secilit shqiptar e shqiptare që e votoi dhe e mbështeti ndryshimin.”
Mexhiti shtoi se koalicioni VLEN do të vazhdojë rrugën e ndryshimit dhe bëri thirrje për bashkim të të gjithë atyre që ndihen të mashtruar dhe të zhgënjyer nga ky zhvillim politik.
“Busulla politike e ndryshimit është VLEN. Ejani me ne!” përfundon ai, duke lënë të hapur derën për të gjithë aktivistët dhe votuesit e ASH-së që mund të ndihen të papërfaqësuar pas këtij vendimi./Zyrtare.net/