
Mexhiti vjen me një lajm të mirë
AA
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, njoftoi sot një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe baraspeshuar në vend: nënshkrimin e kontratave për 829 projekte të reja investuese, me një vlerë totale prej rreth 15 miliardë denarësh.
Në një deklaratë për media, Mexhiti theksoi se ky është një moment historik për komunat dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar si “një ditë të rëndësishme për të ardhmen e vendit”. Ai potencoi se projektet synojnë zhvillim të barabartë, bashkëpunim të ndershëm mes pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe investime konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Kontributi i Ministrisë së Mjedisit në këtë paketë arrin në rreth 2.5 miliardë denarë, të cilat do të orientohen në:
• Përmirësimin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve,
• Projekte për mbrojtjen e mjedisit dhe pastrimin ekologjik,
• Investime në infrastrukturë të gjelbër dhe zhvillim të qëndrueshëm,
• Planifikim hapësinor që përputhet me nevojat reale të qytetarëve.
“Premtuam punë dhe zhvillim – dhe kjo po ndodh. Po sjellim ndryshime të prekshme në jetën e qytetarëve”, deklaroi ministri Mexhiti, duke shtuar se qeverisja e re synon të ndërtojë themelet e një zhvillimi të drejtë, pa diskriminim komunal apo partiak.
Kjo paketë përfaqëson një nga investimet më të mëdha në nivel lokal dhe dëshmon një qasje të re ndaj decentralizimit dhe përfshirjes aktive të komunave në procesin e zhvillimit strategjik të vendit.(INA)