
Mickoski: Artan Grubi iku me veturë diplomatike, po bëjmë gjithçka për t’i kthyer të arratisurit nga drejtësia
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se ish-zv.kryeministri Artan Grubi ka lëshuar vendin me veturë diplomatike, duke u ndihmuar nga një konsull nderi i një shteti të huaj. Këto deklarata ai i dha gjatë një interviste në edicionin qendror të lajmeve në televizionin ALSAT-M.
“Fletë-arresti është dërguar dhe tani presim që shtetet partnere të japin përgjigje se ku ndodhet Artan Grubi. Ai, ose personi që e shoqëronte, ishte konsull nderi dhe ka kaluar kufirin me veturë diplomatike. Më pas, personi është thirrur për një bisedë informative,” deklaroi Mickoski.
Ai e cilësoi largimin e Grubit si “frikacak” dhe tha se nuk është i vetmi që i është shmangur drejtësisë.
“Unë do të thoja se nuk është vetëm Artan Grubi që ka ikur. Ka edhe të tjerë që janë në arrati. Është një mënyrë frikacake për të vepruar, por si shtet po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që t’i kthejmë në vend dhe t’i përballim me drejtësinë,” tha ai.
I pyetur nëse ka informacione për vendndodhjen e personave të arratisur, Mickoski u përgjigj se ekzistojnë indikacione për të gjithë.
“Disa ndodhen në rajon, ndërsa të tjerë më larg. Institucionet tona janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë për t’i zbuluar dhe kthyer,” shtoi ai./Zyrtare.net