
Mickoski: Autostrada drejt Ohrit për vite me radhë ishte simbol i ngecjes, tani do të jetë simbol i suksesit dhe punës së përgjegjshme
AA
Pas 13 vitesh punime më në fund u hapën 20 km e para të autostradës Kërçovë-Ohër. Tash e tutje, nga fshati Vërbjan e deri në Ohër qytetarët do të lëvizin nëpër autostradën e re.
Kryeministri Hristijan Mickoski premtoi se viti i ardhshëm do të jetë viti kur kjo autostradë do të lëshohet në përdorim në tërësi.
“Vetëm një vit pasi morëm përgjegjësinë për ta udhëhequr shtetin, arritëm të zhbllokojmë një nga projektet më të mëdha dhe më të bllokuara infrastrukturore në Maqedoni. Projekti që për vite me radhë qëndroi si simbol i ngecjes, si një pamje e turpshme për një shtet që rrotullohej në vend, sot është simbol i një kohe të re. Shtatë vjet zgjatën pritjet, premtimet pa vepra, harxhimi i kotë i kohës, parave dhe nervave të qytetarëve. Shtatë vjet marrëdhënie pronësore të pazgjidhura, projekte të ndryshuara, institucione jofunksionale dhe punë e papërgjegjshme. Sot, vetëm një vit pasi e fituam besimin e popullit, dëshmojmë se çfarë do të thotë punë e vërtetë – me vepra, jo me fjalë.
Këtu do ta shtoja edhe segmentin që po ashtu është pjesë e Korridorit 8, e ajo është Gostivar – Bukojçan, të cilën e gjetëm pothuajse askund, ishin paguar vetëm faturat për avansin, ndërsa në terren nuk ishte bërë pothuajse asgjë. Ndryshe nga një vit më parë, atje tashmë punohet, ndërtohet dhe unë jam optimist se edhe para afatit do ta përfundojmë këtë pjesë të autostradës, e cila është pjesë e rëndësishme e Korridorit 8.
Sot, nga këtu, nga Preseka – Pesoçan, dërgojmë një mesazh: do ta përfundojmë autostradën, do t’i përfundojmë ndryshimet, do ta përfundojmë punën që prej kohësh ka pritur një qeveri të vërtetë, që është pikërisht kjo që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, së bashku me koalicionin Vlen dhe partinë politike ZNAM”, theksoi Mickoski.(INA)