Mickoski: Lufta sistematike kundër ekonomisë gri
Politika jonë është e qartë – financa publike të qëndrueshme dhe standard jetese i mbrojtur. Do të vazhdojmë me disiplinë në të ardhurat, me përgjegjësi në shpenzime dhe me ndjeshmëri ndaj nevojave reale të qytetarëve, porositi sot kryeministri Hristian Mickoski në fjalimin e tij në konferencën vjetore “Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”.
Lufta kundër ekonomisë gri, theksoi kryeministri, nuk është fushatë, por proces, kontrolli i çmimeve nuk është populizëm, por mbrojtje e qytetarëve.
Do të jemi të fortë dhe të drejtë. Si ndaj atyre që shmangin detyrimet, ashtu edhe ndaj atyre që përpiqen të përfitojnë nga krizat, sepse detyrimi ynë është i qartë – ekonomi me rregulla, treg me ligje, shtet me dinjitet”, tha Mickoski.
Ai vuri në dukje se ekonomia gri është e ardhur e humbur për shtetin, mundësi e humbur për paga më të larta, spitale më të mira, shkolla moderne, pensione më të sigurta… “Ajo krijon konkurrencë jo të ndershme, shkatërron besimin në institucionet dhe demotivon çdo person që punon në mënyrë të ndershme. Qëllimi ynë është i qartë – ekonomia formale të bëhet më e rëndësishme se ajo joformale, të jetë më e lehtë, më fitimprurëse dhe më e sigurt të punohet ligjërisht, tha Mickoski, duke theksuar se lufta kundër ekonomisë gri nuk mund të jetë vetëm inspektuese, por sistematike.

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, theksoi se me Planin e rishkikuar të veprimit 2026-2027 do të vendosë një qëllim të qartë dhe të matshëm për uljen e ekonomisë joformale nga 28,9% të BPV-së deri në fund të vitit 2027.
“Në zbatimin e saj, veçanërisht e rëndësishme është përfshirja aktive e të gjitha institucioneve relevante në zbatimin e Strategjisë dhe masave të saj. Një mesazh i qartë për bashkëpunim dhe përfshirje aktive në zbatim e dërgojmë edhe përmes nënshkrimit sot të Deklaratës për partneritet dhe veprim, me të cilën shprehim angazhimin e përbashkët për formalizimin e ekonomisë joformale. Ajo përbën një hap të rëndësishëm drejt trajtimit sistematik dhe të koordinuar të ekonomisë joformale dhe tregon përkushtimin e përbashkët të institucioneve, komunitetit të biznesit, organizatave sindikale dhe komunitetit akademik”, tha Dimitrieska Koçoska.