Mickoski: Maltretimi i vendeve me veto po shkatërron vlerat e BE-së
AA
“Kur dikush guxon të keqtrajtojë një tjetër që dëshiron të bashkohet me klubin, pse të tjerët duhet të heshtin?”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në Samitin për Zgjerimin e organizuar nga Euronews, duke iu referuar mosmarrëveshjes me Bullgarinë dhe vetos që qeveria e Sofjes po e përdor për të penguar hapat e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
“Nëse e pranojmë këtë parim, ai do t’i shkatërrojë të gjitha vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja nga Shumani, De Gasperi dhe Adenaueri,” shtoi ai.
Micckoski theksoi se qytetarët maqedonas po pyesin pse duhet të ndryshohet sërish kushtetuta:
“Qytetarët më pyesin: në çfarë qëndron problemi tani? Pse sërish duhet të ndryshojmë Kushtetutën?”, tha ai, duke iu referuar kërkesave të Bullgarisë që Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutë.
Sipas tij, megjithë zhgënjimet dhe pengesat, e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian:
“Pavarësisht poshtërimeve dhe zhgënjimeve, ne ndajmë të njëjtat vlera me BE-në. Maqedonia pret prej 20 vitesh të hapë kapitullin e parë të negociatave. E nisëm rrugën me Kroacinë, por ndërsa ajo është anëtare e BE-së, ne ende jemi në listën e vendeve kandidate.”
Sipas Euronews, Bullgaria vazhdon të këmbëngulë që Shkupi të pranojë “historinë e përbashkët” dhe “rrënjët bullgare të gjuhës maqedonase”, si dhe të ndryshojë Kushtetutën për të njohur qartë pakicën bullgare — kërkesa që shumë maqedonas i konsiderojnë sulm ndaj identitetit kombëtar.
Ndërkohë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë po përparon, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar: kapitujt nuk janë ende hapur dhe entuziazmi publik ka rënë ndjeshëm. Edhe pse shumica e qytetarëve ende e mbështesin anëtarësimin në BE, shumë prej tyre nuk e shohin më si një objektiv të arritshëm.
Në samit, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, paralajmëroi se vendet kandidate janë “në një udhëkryq historik”:
“Ato duhet të vendosin nëse janë të përkushtuara për transformimin e tyre drejt BE-së, apo duan të mbeten të bllokuara nga trashëgimia e dhimbshme historike.”
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, shprehu bindjen se vendi i tij do të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028, duke thënë se “Mali i Zi tashmë funksionon si pjesë e Bashkimit Evropian”. Ai theksoi se synimi është mbyllja e të gjitha kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2026, për anëtarësim të plotë në janar 2028.
Në përmbyllje, Costa theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të vendosë pa vonesa: “Kur bëhet fjalë për zgjerimin, nuk ka më kohë për hezitim. BE-ja duhet të vendosë nëse mund të përballojë më shumë humbje kohe dhe nëse është e gatshme të evoluojë për t’iu përshtatur realiteteve të reja gjeopolitike.”
Ai nuk e përmendi drejtpërdrejt Hungarinë, e cila mbetet pengesa kryesore për procesin e anëtarësimit të Ukrainës, por bëri të qartë se po kërkohen mënyra për të kapërcyer vetot politike që bllokojnë zgjerimin.(INA)