Mickoski: Qeveria vazhdon zbatimin e agjendës reformuese
Kryeministri Hristijan Mickoski, ka njoftuar se në mëngjes ka zhvilluar bised online me drejtorin e Drejtorisë për Fqinjësi dhe Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ku kanë diskutuar për ligjet reformuese dhe detyrimet që shteti duhet t’i përmbushë deri në dhjetor të këtij viti në kuadër të procesit të eurointegrimeve. Mickoski theksoi se Qeveria vazhdon zbatimin e agjendës reformuese dhe se pjesa më e madhe e zgjidhjeve ligjore tashmë janë realizuar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Nga ligjet që ishin në të ashtuquajturën “Grejs Periudhë”, ka mbetur vetëm Kodi Zgjedhor. Gjithçka tjetër është përfunduar, ndërsa nga ligjet që janë në procedurë të rregullt, shumica tashmë janë miratuar. Sot, përmes një lidhjeje online, biseduam me zotri Koopman për hapat reformues që duhet të realizohen deri në dhjetor. Ne vazhdojmë me të njëjtin intensitet t’i përmbushim detyrimet tona”.
Ai shtoi se nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë marrë vlerësime pozitive për progresin e deritanishëm. Sa i përket Kodit Zgjedhor, Mickoski përsëriti se Qeveria është e gatshme të mbështesë çdo zgjidhje për të cilën do të pajtohet opozita, përfshirë edhe çështjen e pjesëmarrjes së diasporës.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINSITËR
“Kjo tashmë nuk varet nga ne. Kërkuam që partitë opozitare të ulen, të dakordohen për tekstin e Kodit Zgjedhor, ta përfshijnë diasporën dhe të dalin me një propozim të përbashkët. Ne do ta mbështesim pa asnjë rezervë atë për të cilën ata bien dakord mes vete”.
Ai u bëri thirrje partive opozitare, duke përfshirë, LSDM-në, Levicën dhe BDI-në që të tregojnë pjekuri politike dhe përgjegjësi, duke vlerësuar se është e domosdoshme të arrihet një marrëveshje për Kodin e ri Zgjedhor. Kujtojmë se afati i fundit për përmbushjen e pikës së 10-të të Agjendës Reformuese ishte 15 korriku. Meqë partitë opozitare nuk e mbështetën miratimin e Kodit Zgjedhor, vendi humbi 4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian.
Samir Mustafa /SHENJA/
