
Mik Shumaher: Synoj ende të rikthehem në F1, pres befasi në vitin 2026
Përvoja e Mik Shumaherit në motorsport këtë vit do të vijojë me makinën “Alpine” në kampionatin e WEC. Megjithatë, për herë të parë që nga viti 2021, djali i Mihael Shumaherit, do të jetë larg botës së Formula 1.
I promovuar atë vit nga “Haas”, qëndrimi i 25-vjeçarit me ekipin amerikan përfundoi vitin e ardhshëm (2022), duke kaluar më pas te Mercedes, si pilot rezervë. Ndërsa tani, ai ka vendosur që për momentin të jetë larg Formula 1.
Mundësitë për një rikthim në pistë këtë vit ishin të mëdha, por shpresat e Shumaherit u shkatërruan pas vendimeve të “Alpine”, vetë “Mercedes” dhe “Sauber” për t’u fokusuar te mjaft pilotë të rinj dhe fillestarë.
Piloti gjerman aktualisht gati për sezonin e tij të dytë në WEC, pa hequr dorë nga Formula 1. “Ëndrra ime është ëndrra ime. Kur jam në makinë jap 100%. Kjo do të thotë që kur jam në mjedisin WEC dhe gara, mendimet e mia janë 100% atje: në simulator, në takim, në çfarëdo tjetër”, tha Mik Shumaher.
Sezoni i ardhshëm do ta shohë gjermanin të angazhuar vetëm dhe ekskluzivisht në WEC, ndryshe nga angazhimi i tij i dyfishtë midis Kampionatit Botëror të Endurance dhe rolit të pilotit të tretë në F1.
“Ishte padyshim një vit shumë i vështirë, patëm mjaft fundjavë njëra pas tjetrës, duke shkuar nga një garë në tjetrën. Edhe nëse mund të thuash që piloti rezervë nuk bën shumë punë është e kundërta. Nga fundi i vitit unë isha relativisht i lodhur. Ky vit do të jetë më i qetë në këtë kuptim. Unë thjesht do të jem në gjendje të gjej kohë për të ngarë më shumë simulatorë dhe për të ndihmuar më shumë Alpine me zhvillimin e makinave, ndërkohë që fokusohem në anën sportive të garave”, tha Mik Shumaher.