
Milani brenda një jave rikthehet në rrugën e duhur
Triumfi ndaj Interit, fitorja bindëse ndaj Leçe, në më pak se një javë Milani është kthyer në rrugën e duhur. Thashethemet për shkarkimin e Fonseka tashmë janë zhdukur dhe vëmendja është përqendruar tërësisht në Ligën e Kampionëve. Të martën, “kuqezinjtë” do të luajnë kundër Bajer Leverkuzenit. Një sprovë që do të thotë shumë për ambiciet e tyre të vërteta sezonale.
Gjermanët e Çabi Alonso-s, kampionët në fuqi të Bundesligës, janë aktualisht 3 pikë larg kreut të kampionatit të tyre, mbajtur nga Bajern Munihu i Vinsent Kompani, me të cilin barazuan 1-1 të shtunën, në transfertë. “Aspirinat”, të cilët në debutimin e tyre në Ligën e re të Kampionëve mposhtën Fejnord-in e frikshëm, nuk do ta lënë fushën hapur. Fonseka e di këtë dhe tashmë po studion kundërmasat e duhura. Virtz, Xhaka dhe shokët e tij do ta vënë në provë sistemin e ri sulmues kuqezi, i cili duhet të konfirmohet në tërësi nga minuta e parë.
Moduli sulmues 4-2-4, i drejtuar nga Morata dhe Abraham do t’i nënshtrohet një testi të vërtetë stresi. Mbetet për t’u parë se si do të mbahet “Djalli” në mbrojtje, edhe nëse shifrat duket se buzëqeshin në këtë repart. Në paraqitjet e tyre të fundit në Serie A, Gabia dhe shokët e tij të skuadrës kanë pësuar vetëm një gol (të Dimaro-s në derbi), duke e mbajtur portën të pastër në dy ndeshje në shtëpi.
Fonseka, i cili synon të paktën të largohet i pamposhtur nga “BayArena” (është thelbësore të mos humbasë pas disfatës në ndeshjen e parë ndaj Liverpullit), do të duhet të mendojë edhe për udhëtimin e së dielës në Firencë.