
Milani “demolon” Renin në “San Siro”, Karabagu mund Bragë në Portugali
Mbrëmë u zhvilluan përballjet e para të 1/16 së finales në Ligën Evropa. Padyshim që vëmendja më e madhe ishte në “San Siro” në duelin mes Milanit dhe Ren, ku kuqezinjtë e Piolit triumfuan me rezultatin 3-0, duke shtruar rrugën drejt kualifikimit.
Ndërkohë që surpriza e mbrëmjes ishte triumfi 2-4 i Karabakut të Redon Xhixhës në transfertë ndaj Bragës. Triumf të rëndësishëm në frymën e fundit arriti edhe Benfika ndaj Tuluzës, falë dopietës së Di Marias të realizuar nga pika e bardhë e penalltisë. Dueli tjetër mes Lens dhe Frajburg u mbyll me rrjeta të paprekura!
Ndërkohë Mauro Ikardi dhe Romelu Lukaku kanë qenë protagonist dhe kanë shpëtuar skuadrat e Gallatasarajit dhe Romës nga rezultate që mund të komplikonin kualifikimin e mëtejshëm në këtë turne. Ikardi ka qenë vendimtar në fitoren 3-2 të Gallatasarajit teksa ka shënuar në shtesë golin e fitores për skuadrën e tij përballë Spartës së Pragës, në ndeshjen ku Qazim Laçi ishte titullar me ekipin çek.
Ndërsa Lukaku shënoi golin e barazimit 1-1 të Romës në fushën e Fejnord, duke shmangur një humbje për ekipin italian ndaj rivalëve holandezë me të cilët është përballur vazhdimisht në sezonet e fundit.
Sporting Lisbona ka hedhur një hap të sigurt drejt turit tjetër duke mundur 3-1 Jang Bojs në Zvicër. Gjithçka mbetet e hapur mes Shakhtar Donjetck dhe Olimpik Marsejës pas barazimit 2-2.