Milani përgatitet për ndryshime, vjen Konte dhe 4 futbollist
Gazetari Mikele Krisçitiello pretendon se Milani është i përgatitur të nënshkruajë me katër lojtarë, nëse Antonio Konte zëvendëson Stefano Piolin në krye të skuadër. Konte besohet të jetë ndër kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Piolin në Milan sezonin e ardhshëm, së bashku me trajnerin e Bolonja-s, Tiago Mota.
Konte që drejtoi Interin dhe Juventusin, u largua nga Totenhami me marrëveshje të përbashkët një vit më parë dhe tani pret sezonin e ri për të nisur një projekt të ri. Drejtuesi i “Sportitalia”, Mikele Krishitiello konfirmon se Konte është tunduar nga Milani pasi i pëlqen shumicën e lojtarëve në ekip.
“Nëse ka një qëllim të përbashkët, atëherë marrëveshja mund të mbyllet brenda një muaji apo më shumë. Ai nuk shqetësohet për këtë skuadër të Milanit, dhe klubi tashmë ka planifikuar të nënshkruajë me dy mbrojtës, një mesfushor dhe sulmues nëse Olivier Zhiru largohet. Konte e di se Milani nuk mund të nënshkruajë me katër lojtarë që fitojnë 8 milionë euro secili. Natyrisht, ai dëshiron lojtarë të fortë dhe mund të kërkojë garanci, por ai është i vetëdijshëm se situata nuk është si në Totenham”, ka thënë Krishitiello.
Konte ka fituar katër tituj të Serie A si trajner, tre në Juventus dhe një herë në Inter. Ai gjithashtu fitoi Premier Ligën me Çellsin në sezonin 2016/17 dhe një FA Cup, me klubin nga ‘Stamford Brixh”. Si lojtar i Juventusit, Konte fitoi gjashtë Skudeto dhe një Ligë të Kampionëve.