Ministri Murati pretendon se qeveritë e kaluara lejuan që të vidhen 1.4 miliard euro përmes kontrabandës
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka pretenduar se qeverisjet e kaluara kanë vjedhur 1.4 miliard euro nëpërmjet lejimit të futjes së mallrave të kontrabanduara në Kosovë.
Nëpërmjet një grafikoni të prezantuar në ‘Facebook’, ministri Murati ka paraqitur importin e deklaruar, atë potencial nivelin e mallit kontrabandë.
Udhëheqësi i dikasterit të Financave ka pretenduar se skadimi i pavarësisë së mbikëqyrur më 2012-ën dhe marrëveshjet e Brukselit më 2013-ën mundësuan që veriu i Kosovës të bëhej terren për kontrabandë.
“Në vitin 2013 pastaj ka kapërcim edhe më të madh të nivelit të kontrabandës. Kjo përkon saktësisht me marrëveshjen e Brukselit për formimin e asociacionit, dhe shtruarjen e rrugës që pjesa veriore e vendit të lihej si vrimë e zezë”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e tij.
Tutje, ministri i Qeverisë Kurti përsërit akuzat e përhershme të partisë së pushtet për lidhjen e Listës Serbe me opozitën, përkundër se shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari, ka përgjime publike ku dëgjohet duke u koordinuar me Milan Radoiçiq, dikur funksionar i lartë në Listën Serbe.
“E strukturat kriminale në veri liheshin të papenguara, sepse në fund të vitit 2014 Lista Serbe u bë pjesë e Qeverisë, dhe meqë qeveritë vareshin nga votat e tyre, Lista Serbe u bë faktor përcaktues për kastën e vjetër në politikën e vendit. Ky efekt vërehet edhe në grafikon, ku pas hyrjes së Listës Serbe në Qeveri, në vitin 2015 e këtej kemi rritjen e kontrabandës në nivele enorme”.
Murati lavdëron më pas punën e Qeverisë Kurti, duke thënë se importi ka arritur t’i afrohet nivelit 61 për qind të Bruto Prodhimit Vendor si rezultat I luftës kundër kontrabandës.
Sipas tij, ka dyfishim të të hyrave tatimore përbrenda mandatit të Kurtit. /Insajderi.org/