Ministri Sveçla tregon procedurat për mallrat serbe që hyjnë nga Merdarja
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dal me njoftim për procedurat e reja për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë.
Ai tha se për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohen nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë.
“Me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdar do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X “, tha Sveçla.
Ai shtoi se pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare.
“Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, ka shkruar Sveçla.