
Ministri Taravari dhe Kryeministri Mickoski vizitojnë të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçani
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Taravari, së bashku me kryeministrin Prof. Dr. Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të shtabit të krizës, vizituan sot pacientët e lënduar nga zjarri tragjik në Koçani, të shtruar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
Sistemi shëndetësor është vënë në gatishmëri të plotë, me të gjitha kapacitetet dhe resurset në dispozicion për të ofruar trajtim dhe kujdes maksimal për të prekurit nga ky incident si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe për të qenë pranë familjarëve të viktimave, duke siguruar mbështetje të vazhdueshme. Ekipet mjekësore janë të angazhuara vazhdimisht, duke monitoruar gjendjen e pacientëve dhe duke marrë vendime profesionale për vijimin e terapisë dhe shërimit të tyre.
Përballë kësaj tragjedie, përkushtimi i personelit mjekësor dhe mbështetja institucionale mbeten të palëkundura. Çdo hap i ndërmarrë është në funksion të shërimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të pacientëve, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet institucioneve garanton reagim të koordinuar dhe efikas.