Ministrja turke viziton RMV-në, memorandum bashkëpunimi me Turqinë në fushën e shërbimeve sociale
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në fushën e shërbimeve sociale. Dokumentin e nënshkruan ministri Gjoko Vellkovski, dhe ministrja e Familjes dhe Shërbimeve Sociale e Republikës së Turqisë, Mahinur Ozdemir Goktash. Memorandumi përbën bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në disa fusha me rëndësi për avancimin e mbrojtjes sociale dhe mirëqenien e qytetarëve. Bashkëpunimi përfshin fusha të ndërlidhura me përforcimin e familjes, me zhvillimin dhe me avancimin e shërbimeve sociale për familjet, gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, si dhe përmirësimin e integrimit social të personave me varësi. Ministri Vellkovski vlersoi lartë këtë memerandum dhe tha se qëllimi është që praktikat dhe përvojat e mira t’i shndërrojmë në zgjidhje konkrete.
JOKO VELKOVSKI, MINISTËR I POLITKËS SOCIALE
“Me nënshkrimin e këtij Memorandumi krijojmë bazë shtesë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, si dhe për avancimin e politikave dhe shërbimeve sociale. Qëllimi ynë është që praktikat dhe përvojat e mira t’i shndërrojmë në zgjidhje konkrete”.
Vëmendje e veçantë është paraparë edhe mbi avancimin e politikave dhe të shërbimeve për punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri, mbështetjes së plakjes aktive, zhvillimit të shërbimeve për fëmijët, fuqizimit të grave dhe zhvillimit të mekanizmave të bashkëpunimit në luftën kundër dhunës ndaj grave. Memorandumi është lidhur për një periudhë prej pesë vitesh, me mundësi vazhdimi automatik.
Samir Mustafa /SHENJA/
