Misteri i vrasjes në Serbi, autori ende në arrati – dyshimet te vëllezërit Hajrizi
Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës, dyshohet se qëndron pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në Lloznicë të Serbisë.
Vrasja e një polici serb dhe plagosja e një tjetri, ka qenë kryetema e ditës së enjtë në vend dhe rajon. Autoritetet e Serbisë kanë shpallur në kërkim kosovarin Artan Hajrizin. Hajrizi u kthye në të dyshuarin kryesor për këtë rast, meqë në vendngjarje, sipas autoriteteve serbe, u gjetën pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.
Rasti ka ndodhur pas mesnatës së të mërkurës në Loznicë të Serbisë, që gjendet afër kufirit me Bosnjën.
Për këtë rast, derisa tash janë arrestuar tre persona. Në kërkim masiv për të dyshuarin kryesor është duke vazhduar ende, shkruan gazeta online Reporteri.net.
I targetuar si i dyshuari kryesor, vetë Artan Hajrizi dha deklarata të shumta në mediat e Kosovës duke deklaruar se vëllai i tij, Faton Hajrizi ia ka vjedhur dokumentet personale.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar dokumentin për rastin që ka hapur të enjten Artan Hajrizi në Policinë në Hannover, për humbje të dokumenteve personale, të cilat sipas autoriteteve serbe, u gjetën në vendin ku pas mesnatës u vra një polic serb dhe u plagos kolegu i tij, në Loznicë.
Artan Hajrizi ka hapur ditën e djeshme rast në Policinë e Hannoverit, për humbjen e dokumenteve personale: letërnjoftimin dhe pasaportën e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe leje qëndrimin e Gjermanisë.
Reporteri.net ka siguruar këtë dokument, ku figuron se rasti është hapur në orën 10:41, në Policinë e Hanoverit. Sipas këtij dokumenti, Hajrizi ka deklaruar se dokumentet i kanë humbur qysh të martën rreth orës 08:00-09:00.
Si ndodhi rasti
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit “Mercedes” me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikola Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekoslav Iliq në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Banorët e Loznicës ku ka ndodhur rasti, kanë rrëfyer se çka panë. Njëri nga ta tha se para shtëpisë ku ndodhën të shtënat, skena ishte e tmerrshme.
“Unë isha duke fjetur, ne u zgjuam papritur nga të shtënat. Por nuk ishte një apo dy, ishte shumë. Vrapova menjëherë në tarracë dhe pashë një polic që ishte strehuar pranë garazhit tonë. Ai po thërriste dikë. Ajo makinë ishte ndalur, shoferi ishte brenda dhe dera e pasagjerit ishte e hapur. Dola jashtë për ta ndihmuar, por nëna ime më ndaloi, më tha të mos dilja nga të shtënat dhe unë isha ende në gjendje shoku. Aty mbërriti policia rrugore, e cila nuk është larg nga këtu. Babai im zbriti për të ndihmuar. Më besoni, jam ende në shok, kam qenë shumë i frikësuar. Ju prisni të jeni të sigurt në shtëpinë tuaj dhe më pas diçka e tillë ndodh para shtëpisë tuaj”, tha ai.
“Ishte errësirë, nuk pamë njeri. U dëgjuan vetëm të shtëna. Polici i plagosur ka qëlluar sulmuesin, me sa di unë, dhe më pas ka ardhur për të kërkuar ndihmë. E pamë atë policin tjetër, ishte shtrirë, djali po nxirrte frymë. Nuk kishte shpëtim për të”, tha ky banor i Loznicës.
Për këtë rast, deri tash janë arrestuar tre persona. I pari që u arrestua ishte Mithat Haxhiq nga Tutini në jugperëndim të Serbisë, i cili dyshohet se e ka vozitur të dyshuarin nga Presheva në drejtim të Lloznicës me veturë me targa të Tutinit.
Një person tjetër, sipas Daçiqit është është arrestuar në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me rastin.
Sipas tij, i arrestuari dyshohet se ka organizuar “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
“Z. R. [1985] është arrestuar në Bijeljinë pasdite, në bashkëpunim me Policinë e Republikës Sërpska i cili dyshohet se ka organizuar transportin e vrasësit nga Presheva për në Lloznicë”, thuhet në një komunikatë për media.
Pretendimet e Serbisë
Pas deklaratës së Artan Hajrizit, reagoi Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
Ai ka pretenduar se deklarimet e Artan Hajrizit, se vëllai i tij Fatoni ia ka marrë dokumentacionet në Hanover të Gjermanisë janë të rreme.
“Personi i cili i ka dokumentet në policinë tonë, Artan Hajrizi, sot në orën 11:55 në policinë e Hanoverit ka deklaruar se pardje vëllai i tij Fatoni ia ka vjedhur dokumentet në banesën e tij personale në Hanover. Është gënjeshtër klasike, sepse sipas cilës logjikë një person kthehet nga Hanoveri ilegalisht në Preshevë dhe tenton sërish të shkoj në Gjermani”, ka thënë Daçiq, shkruan N1.
Daçiq tutje pretendon se “për këtë është rëndë dakord më herët dhe se ka qenë një akt i organizuar”
Kreu i ministrisë së Brendshme të Serbisë ka thënë se policia gjermane duhet të përgjigjet urgjentisht nëse Faton Hajrizi ka qenë në Hanover dhe si ka hyrë e si ka dalë dhe si ka përfunduar në Preshevë.
Një kërkim i gjerë është duke u zhvilluar për kapjen e tij. Në Bosnje dhe Hercegovinë, gjithashtu, masat e sigurisë janë shtuar për shkak të frikës se autori mund të ketë kaluar kufirin.
Kosova kërkon që rasti të mos politizohet
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një reagim pas ngjarjes në Serbi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër territorin serb.
MPJD bën thirrje që sipas vlerësimit të situatës, ata të shmangin edhe tërësisht kalimin nëpër territorin serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në apelin e MPJD.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast. Kurti, ka thënë se nuk ka informacione më shumë se sa që është raportuar në media, në lidhje me pretendimet e autoriteteve serbe, se një shtetas i Kosovës ka qenë i përfshirë në vrasjen e një polici në Serbi.
Para gazetarëve në një konferencë për media, Kurti tha se organet e sigurisë në Kosovë janë duke i grumbulluar të gjitha informacionet.“Informacionet që i përmendet i kam marrë edhe unë, nuk kam diçka shtesë. Por organet tona të sigurisë dhe të rendit po i grumbullojnë informacionet dhe ju kisha lutë që të përcjellni në oërt në vazhdim komunikatat e Policisë së Kosovës, MPB-së dhe MPJD”, tha Kurti. /Reporteri.net/